Në një dalje për mediet, kreu i PD-së Sali Berisha tha se e dënon qëndrimin e Ramës që mori peng Këshillin e Mandateve dhe i hoqi mandatin Ervin Salianjit.
Berisha shtoi se ky akt, që tejkalon edhe standardet e vendeve më moniste, tregon fytyrën e vërtetë, tregon ringjalljen në shpirtin dhe qenien e Edi Ramës të babait të tij xhelat, Kristaq Rama
FJALA E BERISHËS
Mirëdita. Përshëndes ju të gjithëve në sallë, përshëndes të gjithë qytetarët që ndjekin këtë takim në distancë timin me gazetarët.
Sot, jam para jush për të dënuar me forcën më të madhe qëndrimin brutal të Edi Ramës, i cili me zëdhënësen e tij, që nuk po përdor epitete, duke marrë pushtetin e Komisionit të Mandateve, ekzekutoi në një akt antikushtetues, antiligjor, vendimin politik të kreut të krimit të organizuar dhe narkoshtetit në Shqipëri, Edi Ramës, për burgosjen e deputetit Ervin Salianji, nënkryetarit të grupit të PD, për rrjedhojë anëtarit të kryesisë së parlamentit shqiptar.
Ky akt, që tejkalon edhe standardet e vendeve më moniste, tregon fytyrën e vërtetë, tregon ringjalljen në shpirtin dhe qenien e Edi Ramës të babait të tij xhelat, Kristaq Rama, që urdhëronte me 10 gusht të vitit 1988, varjen në litar të disidentit Havzi Nela.
Ky akt prej burracaku dëshmon se jo deputeti guximtar Ervin Salianji, por është Edi Rama i tmerruar nga krimet, lidhjet e tij me krimin dhe urdhëron shkelmimin e Kushtetutës, shkelmimin e parlamentit.
Unë sot gjithashtu dënoj me forcën më të madhe deklaratën e bastardit me tre mbiemra, direkt kërcënimet e tij bastardit të familjes Hoxha, kërcënimet e tij ndaj deputetëve të opozitës.
I them këtij bastardi, sikundër Edi Ramës, edhe Enveri të ngrihej nga varri, deputetët e opozitës as nuk tremben, as nuk tuten, por janë të vendosur ta çojnë gjer në fund mosbindjen civile dhe betejën për një Shqipëri pa narkodiktaturë, për një Shqipëri të shtetit ligjor dhe zgjedhjeve të lira.
Në këtë kontekst, i them këtij banditi të shndërruar në ministër për biografinë e tij, çlirohu nga inspirimet e diktatorit më satanik që ka njohur Shqipëria, sepse opozita dhe opozitarët do të japin ty vendin që meriton.