Tregtojnë ku të mundin dhe si të mundin, pa respektuar asnjë kusht minimal higjeno-sanitar. Kjo është situata në markatën kryesore të fruta-perimeve dhe bulmetit në qytetin e Elbasanit.
Pa përmendur gjendjen e tendave dhe banakëve, që nuk kanë nevojë për koment, ajo që është më shqetësuese është fakti që në këto temperaturata të larta, bulmeti dhe nënproduktet e tij shiten pa respektuar asnjë kusht higjeno-sanitar apo ruajtje.
Të ekspozuara ndaj temperaturave dhe të mbuluara me çfarë të munden, këto produkte u ofrohen konsumatorit, i cili për shkak të çmimeve pak më të lira rrezikon pasoja më të rënda.
Mungesa e kontrolleve si nga bashkia dhe autoriteti i ushqimit është evidente dhe ky shitës vetëm se pa kamerën e A2 CNN filloi të heqë bulmetin që tregtonte. Dhe kjo situatë ndodh në tregun e bashkisë, ku tregtarët paguajnë taksa dhe ku normalisht duhej të respektoheshin kushtet minimale për tregtimin e produkteve ushqimore.