Marrëveshja midis Italisë dhe Shqipërisë për qendrat e emigrantëve “ngre disa shqetësime për të drejtat e njeriut” dhe “shton një prirje shqetësuese evropiane drejt kontraktimit të përgjegjësive të azilit”.
Kështu ka thënë Komisionerja Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatovic.
“Protokolli për zbarkimet dhe përpunimin e kërkesave për azil – shpjegon ajo në një shënim – ngre një sërë pyetjesh të rëndësishme mbi ndikimin që do të kishte zbatimi i tij në të drejtat e njeriut të refugjatëve, azilkërkuesve dhe migrantëve”.
Më herët edhe Komisioni Europian ka reaguar në lidhje me këtë marrëveshje, ku kërkuan më tepër detaje nga ana e qeverisë italiane. Sakaq ambasadori i BE në Tiranë Luigi Soreca, tha se kjo marrëveshje nuk wshtw konsultuar me KE.
“Komisioni Europian është informuar, por nuk është konsultuar për memorandumin e mirëkuptimit,” tha ai gjatë një konference për shtyp me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, ku prezantoi progres-raportin e ri të KE-së për Shqipërinë.
Soreca bëri të ditur se Brukseli e ka marrë tekstin e marrëveshjes vetëm 2 ditë më parë duke e vlerësuar të parakohshëm një vlerësim për dokumentin, i cili, sipas tij, –“ka më shumë vlerë politike, por jo vlerë ligjore”.