Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas masakrës në Velipojë, ku si pasojë e përplasjes me armë mes dy familjeve, 4 persona u vranë dhe 2 të tjerë mbetën të plagosur. Basha thotë se kjo është pasojë e shndërrimit të policisë në një vegël për të mbrojtur regjimin, dhe shton se jeta e qytetarëve dhe fëmijëve është në rrezik.
Postimi i Bashës:
Kur policia reduktohet në vegël të regjimit për të mbrojtur pushtetin dhe lidhjet me krimin, kur përgjigja e vetme sa herë përgjaken qytetet tona është “hëngshin kokat e tyre”, jeta e qytetarëve, fëmijëve dhe familjeve shqiptare është në rrezik.
Me postimin cinik si i sotmi pas masakrës së Velipojës, përgjegjësi për këtë situatë nuk e fsheh dot përgjegjësinë e tij, por vetëm rikonfirmon gjunjëzimin e shtetit para krimit të bërë njësh me pushtetin e tij të korruptuar deri ne palcë.
Bilanc lufte, është ajo që ka sjellë përplasja me armë pas mesnate në Velipojë, ku mbetën të vrarë 4 persona, dhe u plagosën dy të tjerë, pas sherrit për shezllonet dhe hapësirën e lokaleve.
Viktima nga plumbat e armës kanë ngelur Kujtim Ferracaku, Xhovani Gocaj, Edmond Gocaj dhe Myserim Zeneli, ndërsa plagosur kanë mbetur Hasan Ferracaku dhe Elmind Dyli.
Përplasja ka nisur fillimisht me fjalë mes viktimave, dhe më pas ka degjeneruar në përplasje armësh.
Kujtim Ferracaku është pronari i hotel “Fantazia” në Velipojë, dhe është konfiktuar me pronarët e lokalit “Gocaj”, ku kanë mbetur të vrarë nga 2 persona të secilës palë, ndërkohë që makthi i krismës së armëve duket se do të shoqërojnë për një kohë të gjatë të gjithë pushuesit që kanë qenë në Velipojë.
Kujtim Ferracaku, është babai i Arjan Ferracakut, i cili është vrarë po ashtu në një atentat në Shkodër, ndërsa Hasan Ferracaku që ka mbetur i plagosur është vëllai i tij.