Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi është takuar ditën e sotme me kreun e Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe ka diskutuar për masat e nevojshme të sigurisë më 6 dhjetor, kur do të mbahet samiti i BE me vendet e rajonit në Tiranë.
Duke folur për mediat pas takimit, Çuçi tha se policia është e përgatitur për “ngjarjen më të madhe diplomatike që ndodh në Tiranë.”
“Ju garantoj që cdo gjë do të shkojë më së miri. Jemi plotësisht të përgatitur tamam si një vend europian”, tha Çuçi.
Çuçi theksoi se protesta e paralajmëruar nga opozita do të lejohet jashtë perimetrit të sigurisë dhe do të merren masa për mbarëvajtjen e saj.
“Ne asnjëherë s’kemi qenë kundër protestave, gjithmonë e kemi garantuar të drejtën kushtetuese për të protestuar. Kësaj radhe thjesht ka një zonë të kuqe ku do të zhvillohet samiti dhe s’mund të protestohet. Jashtë kësaj zone ne do të marrim gjithë masat që edhe protesta të zhvillohet”, tha Ministri i Brendshëm. /abcnews.a