Policia e Tiranës ka dhënë detaje lidhur me operacionin “Deceiver” që çoi në ekzekutimin e masave të sigurisë “arrest shtëpie” për 4 persona, ndërkohë që një i 5-të është shpallur në kërkim, dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Deceiver”,  janë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetasit:

Majlinda Demollari, 55 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”

Lindita Ndroqi, 55 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, në bashkëpunim

Linda Peci, 39 vjeçe, e dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim

Eros Aliu, 33 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim

Gjithashtu, është lëshuara masa e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin, Ledio Vrapi, 34 vjeç, banues në Gjermani, i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, i cili është shpallur në kërkim.

Prokuroria njoftoi më herët se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta persona duke përdorur gënjeshtrën dhe shpërdorimin e besimit, kanë përvetësuar shumat e kredive të marra nga 11 persona që kanë bërë kallëzim penal duke i mashtruar dhe duke ju përvetësuar shumat monetare.

Sipas njoftimit zyrtar nga Policia, shtetasi L. V., dyshohet se ka mashtruar shtetas të ndryshëm duke ju thënë se i nevojiteshin të dhënat e tyre për të çelur llogari bankare dhe për të tërhequr shuma parash nga banka, në mënyrë që ai të mos tërhiqte vëmendjen e autoriteteve shtetërore. Pas çeljes së llogarive dhe tërheqjes së parave, ai i ka dhënë secilit shtetas nga 50 000 lekë si shpërblim.

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi L. V. me anë të fotove të kartave të identitetit të këtyre shtetasve ka marrë kredi pranë disa institucioneve financiare, shuma parash që variojnë nga 5-7 milionë lekë të vjetra, të cilat janë transferuar në numrat e llogarive të shtetasve dhe pas tërheqjes janë përvetësuar nga shtetasi L. V.

Në këtë veprimtari të paligjshme është përfshirë edhe noterja M. D., e cila dyshohet se ka kryer noterizimin e kontratave me palë shtetas që nuk kanë qenë të pranishëm dhe që nuk i kanë nënshkruar këto kontrata dhe për të cilët janë paraqitur të dhëna të rreme lidhur me adresat e banimit dhe të dhënave të tjera.

Në përfundim të këtyre veprimeve, nga ana e punonjësve të institucionit financiar, konkretisht shtetasit L. N., (përgjegjëse zyre) L. P., dhe E. A., (oficerë kredie), janë mbajtur relacionet dhe vendimet e miratimit të kredive, të bazuara në të dhëna të rreme, të cilat nuk i përkasin palëve në cilësinë e debitorëve.