Materniteti i ri i Beratit, pjesë e programit të rijetësimit të shërbimit shëndetësor për nënën dhe fëmijën, bëhet gati për t’u hapur javës tjetër.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu pa nga afër investimin e ri, ku tha se do të garantohen shërbime me standarde dhe kushte bashkëkohore afër vendbanimit për nënat dhe fëmijët, duke e quajtur këtë investim, një pretim të mbajtur nga qeveria shqiptare.
“Materniteti i ri i Beratit është një investim i plotë jo vetëm i infrastrukturës, një godinë e re që është tashmë me kushtet bashkëkohore për të ofruar një cilësi shërbimi maksimale. Nga ana tjetër e kemi pajisur me mobilimin spitalor, gjithashtu me pajisjet mjekësore të duhura, në mënyrë që puna që do të fillojë, të fillojë ashtu sikurse duhet, me standardet më të mira të ofrimit të shërbimit për nënat dhe fëmijët që do të vijnë në jetë në këtë maternitet. Është një premtim i bërë realitet. Një premtim i mbajtur për të ndërtuar një maternitet të ri në Berat dhe padyshim për të krijuar atë perspektivë që ne të gjithë duam për një shëndetësi më të mirë, e cila ofrohet dhe merret afër vendbanimit”, tha Manastirliu.
Gjatë inspektimit së maternitetit të ri të Beratit, Manastirliu tha se standarde të tilla shërbimi po zgjerohen në të gjithë vendin.
“Ashtu sikurse përfunduam gati një vit më parë maternitetin e ri të Lezhës, tashmë përfundojmë maternitetin e ri të Beratit. Shumë shpejt maternitetin e ri të Kukësit brenda korpusit spitalor. E më pas edhe investimet e reja në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, në maternitetin “Koço Gliozheni”. Me këto ritme do të vijojmë të ecim deri sa të kemi përfunduar gjithë investimet në shëndetësi”, tha Manastirliu.
Materniteti i ri i Beratit ka një kapacitet prej 50 shtretërish, është pajisur me aparatura të teknologjisë së lartë dhe do të garantojë një standard të ri shërbimi në gjinekologji, obstetrikë dhe neonatologji për të gjitha gratë e këtij qarku.