
Operacioni policor i koduar “Sunrise” ka finalizuar me sukses një goditje ndaj armëmbajtjes pa leje në Delvinë. Gjatë operacionit, është arrestuar shtetasi L. T., 47 vjeç, banues në Delvinë, i cili mbante të fshehura në banesën e tij armë dhe municione.
Pasi u mor informacion nga inteligjenca informative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Delvinë realizuan kontrollin, ku sekuestruan një armë zjarri kallashnikov, një armë gjahu çifte, krehra kallashnikovi dhe pistolete, si dhe një sasi fishekësh. I arrestuari u dërgua në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për hetime dhe veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Delvinë/Vijon goditja e armëmbajtjes pa leje, finalizohet me sukses nga Komisariati i Policisë Delvinë, operacioni policor i koduar “Sunrise”.
Sekuestrohen 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu çifte, krehra dhe municion.
Në pranga poseduesi, i cili i mbante të fshehura në banesë.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, si dhe bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, të cilat bënin me dije se një shtetas posedonte armë në banesën e tij, shërbimet e Komisariatit të Policisë Delvinë organizuan dhe finalizuan me sukses, gjatë paradites së sotme, operacionin policor të koduar “Sunrise”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi L. T., 47 vjeç, banues në Delvinë.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në banesën e shtetasit L. T., ku gjatë kontrollit gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri automatike tip kallashnikov, 1 armë gjahu çifte, 1 krehër kallashnikovi, 2 krehra pistolete dhe një sasi fishekësh.
Materialet procedurale në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme hetimore dhe procedurale.
