Mëngjesin e sotëm mbërritën në Portin e Shëngjinit tetë emigrantët të cilët u nisën nga Italia tre ditë më parë.

Tashmë gjashtë emigrantët, me origjinë nga Egjipti dhe dy nga Bangladeshi, kanë zbritur nga anija nën masa të rrepta sigurie.

Anija italiane “Libra”, e përdorur nga Qeveria e Giorgia Melonit për të transferuar emigrantë në qendrat e diskutueshme të ndalimit në Shqipëri, ndodhet aktualisht në Portin e Shëngjinit.

Qeveria e udhëhequr nga Meloni po përdor këtë anije për të pritur në det të hapur disa emigrantë, burra të rritur dhe të shëndetshëm që vijnë nga vende të konsideruara të sigurta dhe për t’i dërguar fillimisht në qendrën e Shëngjinit dhe më pas në atë të Gjadrit, sipas marrëveshjes së nënshkruar me Shqipërinë.

Hera e parë që Meloni e vuri në zbatim këtë strategji ishte më 16 tetor, por dështoi: anija transportoi vetëm 16 emigrantë nga Egjipti dhe Bangladeshi, nga të cilët 4 duhej të ktheheshin menjëherë në Itali për shkak se ishin të mitur ose “të cenueshëm”.

Top Channel