Erion Murataj PSD

Shpresat se më shumë të mbijetuar do të gjenden në rrënoja po shuhen sot në Mandalay, ku shumica e banorëve kaluan një natë tjetër në natyrë pas tërmetit shkatërrues 7.7 ballë që la më shumë se 1700 të vdekur në Myanmar dhe Tajlandë.

Ekspertët nuk e fshehin frikën e tyre se mijëra të tjerë mund të kenë humbur jetën nën rrënoja, pavarësisht mobilizimit të komunitetit ndërkombëtar për t’i ofruar ndihmë shtetit aziatik ku lufta civile është ndezur dhe mungesa e burimeve është akute.

Tërmeti i së premtes me magnitudë 7.7 u pasua pak më vonë nga një pasgoditje me magnitudë 6.7, me qendër në Mianmarin qendror.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Që atëherë, pasgoditjet janë ndjerë vazhdimisht.

Tërmeti, më i forti që ka përjetuar Mianmari në dekada, shkaktoi skena kaosi dhe paniku deri në 1000 kilometra nga epiqendra, në Bangkok, ku të paktën 18 persona humbën jetën, kryesisht për shkak të shembjes së një ndërtese 30-katëshe në ndërtim e sipër.

Në Mandalay, qyteti i dytë më i madh i Mianmarit, i mbushur me grumbuj mbeturinash, intensiteti i përpjekjeve të shpëtimit ishte ulur në mëngjes në krahasim me një ditë më parë, pasi temperatura pritej të arrinte 40 gradë Celsius.

Kushtet tropikale janë një provë e ashpër për qëndrueshmërinë fizike dhe mendore të ekipeve që veprojnë në vendet e fatkeqësive dhe përshpejtojnë dekompozimin e trupave nën rrënoja, duke e bërë procesin e identifikimit të tyre shumë më të komplikuar.

Megjithatë, një shpëtua e gjallë pas 60 orësh në rrënojat e hotelit, pas një operacioni 5 orësh nga ekipet e shpëtimit nga Kina, Rusia dhe Mianmari.

Sipas një deklarate nga ambasada kineze, ajo ishte në gjendje të qëndrueshme mëngjesin e sotëm.

Megjithatë, një grua tjetër shtatzënë nuk ishte aq me fat. Ekipet e shpëtimit e nxorrën atë nga rrënojat pasi ajo mbeti e bllokuar për më shumë se 55 orë. Ia prenë njërën këmbë me shpresën se do ta mbanin gjallë. Por fatkeqësisht humbi jetën.

“Ne provuam gjithçka për ta shpëtuar”, tha një anëtar i ekipit mjekësor pasi konstatoi vdekjen e saj, por ajo kishte humbur shumë gjak.

Varrimi i qindra viktimave pritet të bëhet sot, ditën kur komuniteti mysliman, në zi, normalisht do të festonte Bajramin, fundin e muajit të Ramazanit.

Do të jetë shumë e vështirë të përcaktohet numri i të vdekurve në Myanmar, një vend sa i izoluar aq edhe i fragmentuar: gjeneralët në pushtet janë në luftë me një mori organizatash rebele, veçanërisht pakicat etnike, si dhe kundërshtarët e tyre politikë.

Zyrtarisht autoritetet dje folën për rreth 1700 të vdekur, 3400 të plagosur dhe 300 të zhdukur.

Kina, Malajzia dhe India kanë vendosur tashmë ekipe, ato nga Indonezia pritet të mbërrijnë dhe të operojnë sot.