Ka përfunduar mes diskutimesh mbledhja e ditës së sotme, ku deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka mbledhur Kolegjin e kryetarëve të Partisë Demokratike. Brenda mbledhjes ka pasur përplasje të qëndrimeve nga një pjesë e krerëve të degëve.

Kryetari i degës së Mirditës, Mark Ruçi, i cili konfirmoi kandidaturën me Alibeajn në Mirditë disa ditë më parë, ka deklaruar se PD zyrtare duhet të dale në zgjedhjet e 14 majit me 61 bashki.

Sakaq, kreu i Degës së Durrësit Joni Myshketa është shprehur se i ka emrat e mundshëm për kryebashkiakë, por ‘duhet të ruajmë përçarjen e mëtejshme’.

Kryetari i degës së PD në Kuçovë, u shpreh kundër propozimeve të deputetëve që PD zyrtare të futet vetëm me Këshilla Bashkiakë. Ai ka deklaruar se PD duhet të futet patjetër me kandidat.

Dhurata Çupi këmbënguli që PD duhet të shkojë e bashkuar në zgjedhjet e 14 majit. Sipas saj, Alibeaj dhe Bardhi duhet të bëjnë të pamundurën për bashkimin me Berishën. Në të kundërt, sipas saj rrezikojnë zvogëlim akoma më të madh nëse ndahen.

Përsa i përket Tiranës, emrat e kandidatëve të propozuar janë: Roland Bejko, Rudi Erebara, Jonila Godole.

Alibeaj ka mbledhur Kolegjin e Kryetarëve për të diskutuar rreth listës së kandidatëve për kryebashkiakë apo anëtarë këshillash në zgjedhjet e 14 majit. Në orën 15:00 Alibeaj  zhvilloi një takim me kandidatët e mundshëm për kryebashkiakë dhe këshilla, ndërsa në orën 18: 00 do të mblidhet Kryesia.