Pas mbarimit të fushatës elektorale dhe zgjedhjeve të 25 prillit, ku nga biznese dhe individë u hodhën para pa fund si kontribute financiare elektorale, në mbështetje të forcave të ndryshme politike, u zbulua se miliona euro ishin investuar me qëllim bërjen ose blerjen e votave.

Duket se pas në këtë drejtim nuk mbeti as “Fondi Besa”, i “Mbretit të financave” Bajram Muça. “Priza.al” njoftoi gjatë asaj kohe se në garën për deputet ishte renditur për Lëvizjen Socialiste për Integrim edhe Lemi Muça, vëllai i Bajram Muçës të “Fondit Besa”.

Fushata që kandidati Lemi Muça, zhvilloi nën siglën e LSI-së, në rrethinat e kryeqytetit, u bazua kryesisht në takime të vogla, në takime personale dhe fare pak në aktivitete masive.

Por “Priza.al” mësoi ditët e fundit se, nga ky kandidat ishin shpenzuar fonde të mëdha në aktivitete, bamirësi, apo dhe “qërasje” individësh me pozitë, edhe pse ai në fund sipas tabelës së KQZ-së për secilin kandidat në garë, rezultoi me vetëm 800 vota.

Por “Fondi Besa” i drejtuar nga vëllai i Lemit, Bajram Muça, mësohet se ka shpenzuar shifra kolosale parash për fushatën e LSI-së, jo vetëm në Tiranë, por edhe në zona të tjera të vendit, ku në garë për mandate të “sigurta” ishin kandidatë me emër të LSI-së.

Burime nga LSI-ja i thanë “Priza.al”, se “Nga ‘Fondi Besa’ kishin dalë shuma të konsiderueshme parash si donacione ‘sekrete’ elektorale, për kandidatë të ndryshëm”.

Shumat më të mëdha, sipas burimeve, “ishin shpenzuar nga Fondi me urdhër direkt të presidentit Bajram Muça, për qarqet Durrës, Tiranë, Fier dhe Berat, aty ku LSI-ja shpresonte marrjen e disa mandateve të sigurta”.

Por duket se pas mbarimit të gjithë kësaj fushate të kushtueshme, bamirësi filantrop Bajram Muça, i vëllai i kandidatit të LSI-së, Lemi Muça, që doli “rruar qethur” (me gjithë paratë e shpenzuara), duhet që të mbyllë “gropën” e krijuar brenda “Fondit Besa” për të qetësuar edhe aksionerët e huaj që kanë kohë që kanë dhënë alarmin.

Dhe duket se zgjidhja për këtë janë mbledhja e parave me forcë, nga fakirët e mashtruar prej sekserëve të “Fondit Besa”.

Mbledhja e parave me “task-forcë”

Pikërisht në një moment si ky kur opozita vijon të kontestojë rezultatet e zgjedhjeve të 25 prillit, si dhe qeveria është e angazhuar me punët e mbetura gjysmë, “Fondi Besa” është hedhur në aktivitet.

Duke përfituar nga mungesa e vëmendjes së Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit, bordi drejtues i “Fondit Besa” urdhëroi nisjen e grumbullimit të kredive të këqija me forcë.

“Priza.al” ka mësuar se një “task-forcë” e madhe e “Fondit Besa” e përbërë nga jo vetëm punonjës të tij por edhe mercenarë me pagesë dhe persona me të shkuar kriminale, janë përqendruar ditët e fundit në Qarkun e Fieirt.

Në shënjestër të “KÇK”-së të ngritur me urdhër të Bajram Muçës, kanë qenë familjet e kredimarrësve të këqij që kanë përfituar mikrokredi nga fondi por jo në mënyrë të drejtë për drejtë, në zonat e Fierit, Lushnjës dhe Mallakastrës.

Grupet e punës së “task-forcës” janë urdhëruar që të mbledhin me çdo kusht borxhet e këqija nga kredimarrësit, ose në të kundërt, në mungesë të kash-it, të sekuestrojnë prona të tundshme dhe të patundshme të vendosura si kolateral, apo sende me vlerë.

Ajo që është më shqetësuese është fakti se, qytetarët kredimarrës të mashtruar dhe sajuar me kredi nga rrjeti i sekserëve, për t’i shpëtuar presionit dhe përplasjeve me “kaçakët” e “Fondit Besa”, po bëjnë kallëzime në Policitë vendore, ose po u drejtohen mediave për ndihmë.

Por deri tani vetëm media është ajo që duket se po reagon pjesërisht, pasi Policia e Shtetit në këto rrethe po hesht duke i lënë palët që të përplasen me njëra-tjetrën.

Çfarë po sekuestron “Task-Forca” 

Puna e “task-forcës” të ngritur me bujë dhe me kërcëllitje dhëmbësh nga drejtuesit e “Fondit Besa”, është dhe aspekti më qesharak i gjithë kësaj fushate.

Lajmi se “Fondi Besa” ka ngritur një grup të “fortësh” që do të mbledhin borxhet e këqija dhe interesat e kredive të lëshuara pa hesap nga zyrat e Fondit në të gjithë vendin, tani ka marrë dhen.

“Priza.al” ka mësuar se lajmi i ka trembur kreditorët që kanë emrat në listat e “Fondit Besa”, por edhe i ka detyruar që të mobilizohen dhe madje edhe shumë nga ata të “fshihen” për të pritur që Drejtësia në vend të thotë fjalën e saj dhe institucionet e shtetit të merren me këtë institucion që është kthyer në një kompani piramidale.

Shumë prej kredimarrësve të mashtruar nga sekserët janë “zhdukur”, të tjerë kanë nxituar të fshehin ose tjetërsojnë pronësinë e sendeve të lëna në dorëzani, por ka edhe nga ata që deri tani e kanë “ngrënë” presionin e përmbaruesve dhe mercenarëve me muskuj që u shkojnë e u zënë derën, duke i paguar paratë.

Megjithatë, burime nga zyrat e “Fondit Besa” në Tiranë, i kanë thënë “Priza.al” se, “ky operacion që po vijon me ngut të madh ka për qëllim më shumë që të tregojë se Fondi ka si vullnet mbledhjen e borxheve të këqija. Kjo si një mënyrë që të zbutur sa do pak presionin e aksionerëve të huaj, që kanë kuptuar gropën e krijuar ndër vite nga Bajram Muça me ortakët e tij”.

Gjithashtu po nga të njëjtat burime kemi mësuar se “ditët e fundit operacioni për mbledhjen e parave të kredive, është përqendruar në Fier e Mallakastër, aty ku ‘Fondi Besa’ hodhi edhe më shumë financime për fushatën e LSI-së”.

Por deri tani, nga sa mësohet grupet e punës kanë dalë më shumë duar bosh se sa kanë mbledhur para. Ka pasur raste kur përmbaruesit në pamundësi për të mbledhur para nga kredimarrësit, sidomos në fshatra u kanë sekuestruar familjarëve bagëti, mjete, apo edhe vegla pune , me qëllim nxjerrjen e tyre të shpejtë në ankand për shitje dhe sigurimin e vlerës në kash.

“Nuk kanë munguar rastet kur task-forca në vend të parave kash ka mbledhur me forcë në fshatra të ndryshëm të Fierit, kafshë pune, bagëti, apo edhe shpezë. Në një rast një fshatari ju sekuestrua edhe biçikleta që çonte qumështin në Fier, për 3 milionë të vjetra që kishte marrë i biri si mikrokredi.

Por ka pasur raste që u janë sekuestruar edhe vegla pune si korrëse bari elektrike, motosega, karroca apo edhe në një rast kur një familjeje ju mor rimorkio e zetorit, pasi atë e kishte hequr më parë dhe e kishte fshehur”,- thanë burimet nga “Fondi Besa”  për “Priza.al”.