Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin u mblodh për të diskutuar kërkesën e opozitës për heqjen e mandatit të ministres Olta Xhaçka, por Partia Socialiste kërkoi më shumë kohë për t’u njohur me dokumentacionin. Deputeti demokrat Saimir Korreshi e cilësoi si një përpjekje për të zvarritur procesin, ndërsa deklaroi se do të marrë pjesë në protestën e 7 korrikut
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe imunitetin u mblodh këtë të premte për të fiksuar kërkesën e disa deputeteve demokratë për përfundimin e mandatit të Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçkës, nën akuzën se ka shkelur nenin 70 të Kushtetutës duke përdorur pushtetin për të favorizuar bashkëshortin, i cili u shpall “investitor strategjik”. Por mbledhja ishte e shkurtër, pasi socialistët kërkuan më shumë kohë për të shqyrtuar kërkesën dhe dokumentacionin për kolegen e tyre.
Përfaqësuesit e opozitës e cilësuan këtë kërkesë si një formë për të zvarritur procesin. Një ditë më parë, Partia Demokratike i kërkoi sërish llogari ministres për tokën shtetërore që ka përfituar bashkëshorti i saj.
Deputeti demokrat Saimir Korreshi akuzoi Kryeministrin se e ka marrë në mbrojtje, ministren e tij. Deputeti demokrat njoftoi se do t’i bashkohet protestës mbarëpopullore të thirrur nga opozita më datë 7 korrik.
Nga ana tjetër, në mesin e një vere të nxehtë politike, deputetët demokratë po bëjnë gati firmat për t’i kërkuar Gjykatës Kushtetuese t’i heqë mandatin, ministres Olta Xhaçka.