Kuvendi i Shqipërisë pasditen e djeshme ezauroi edhe raundin e dytë të procesit të zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit pa asnjë kandidaturë zyrtare.

Njëjtë si në raundin e parë edhe këtë raund nuk është propozuar asnjë emër për President nga opozita, duke u djegur kështu edhe raundi i dytë për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës.

Asnjë propozim për zgjedhjen e presidentit të republikës, votimi i dytë konsiderohet i rezauruar. Kuvendi dje vendosi që sot në orën 14:30 të mbahet Konferenca e Kryetarëve,.

Opozita i ka humbur dy raunde dhe i mbetet edhe një shans për të propozuar emrin për kandidatin për president.

Nëse opozita edhe në këtë raund nuk vjen me një emër në tavolinë për presidentin e ri, atëherë është Partia Socialiste ajo që vendos dhe çon për votim emrin e presidentit në raundin e 4 dhe të 5.

Bëhet me dije se grupi opozitar do të jetë pjesë e Konferencës së Kryetarëve për të ezauruar edhe mundësinë e fundit që ajo të propozojë një kandidat për President.

Mbetet për të parë nëse ketë herë, në raundin e tretë opozita do të propozojë një emër, apo do ja lërë mazhorancës “fatin” për zgjedhjen e presidentit.

Kujtojmë se Kushtetuta parashikon 5 raunde votimi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Në tre raundet e para, Presidenti duhet të zgjidhet me 3/5 e votave, pra 84 vota. Sipas ndryshimeve të bëra në Kushtetutë, në rast se në fund të tre raundeve nuk është zgjedhur ende një person, atëherë kalohet në të katërtin dhe të pestin, presidenti mund të zgjidhet me 71 vota, vota të cilat PS i ka vetëm, çfarë bën që ata të arrijnë të zgjedhin presidentin edhe pa voton e opozitës.