Partia Demokratike do të mbledhë këtë të premte Kryesinë për të miratuar emrat e propozuar nga kryetari Sali Berisha, për postin e Sekretarit të Përgjithshëm, Nënkryetarët dhe Sekretariatet e tjera të Partisë.
Pasi emrat të kenë marrë miratimin e Kryesisë, ato do të kalojnë për votim në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, e cila do të mbëhet po sot, në orën 17.00. Diskutimet dhe votimet do të bëhen në selinë blu.
Kryesia e Partise Demokratike mblidhet sot ne oren 14.00 per te miratuar kandidaturat e Kryetarit Sali Berisha per Sekretar te Pergjithshem, Nenkryetarë dhe Sekretariatet e Partise Demokratike.
Me pas, mbledhja e Keshillit Kombetar per te votuar keto kandidatura do te jete ne oren 17.00 ne Seline e PD”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit e PD.
Deri më tani vetëm Oerd Bylykbashi ka deklaruar publikisht se do të garojë për postin e nënkryetarit, por mësohet se gjithashtu për nënkryetar mund të garojë edhe Luçiano Boçi. PD ka të përcaktuar në statut dy nënkryetarë, njëri prej të cilëve merr drejtimin e Grupit Parlamentar dhe tjetri nënkryetar i Kuvendit.
Në garë për një nga pozicionet drejtuese janë edhe Belind Këlliçi dhe Famur Noka, që mund të garojnë për Sekretar të Përgjithshëm. Përballjen mes tyre do ta ndajnë anëtarët e Këshillit Kombëtar me votim të fshehtë.
PD e drejtuar tashmë nga Sali Berisha, po plotëson vendet e mbetura vakante pas Kuvendeve Kombëtare të zhvilluara në dhjetor 2021 dhe prill 2022, ndërsa Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë një vendim se cili nga grupimet do të ketë vulën dhe siglën e kësaj force politike.