Avokatët mbrojtës të ish-udhëheqësve të UÇK-së gjatë konferencës statusore të mbajtur në Dhomat e Specializuara në Hagë më 17 dhjetor.
Mbrojtja e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Hagë, edhe një herë ka kërkuar që gjykimi kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të fillojë pas 18 muajsh, përkatësisht në verë të vitit 2022.
“Më shumë se 18 muaj duhen për të zhvilluar hetime në këtë rast. Ky është realiteti”, tha avokati i Hashim Thaçit, David Hooper, në një konferencë statusore të mbajtur të enjten në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Prokuroria ka deklaruar se deri më tani i ka dorëzuar mbrojtjes më shumë se 1,300 materiale.
Prokuroria, po ashtu, tha se në muajin korrik mund të përfundojnë hetimet dhe në muajin shtator të vitit 2021 të nisë procesi gjyqësor.
“Ne do të ishim të përgatitur të parashtronim dosjen paragjyqësore në fillim të korrikut, pra dy-tre muaj para fillimit të gjyqit”, deklaroi prokurori i rastit, Alan Tieger.