Zgjidhen kryetarët e rinj të tyre.
Nga Tirana, në Berat, Librazhd e Përrenjas, Komisioni i Rithemelimit zhvilloi zgjedhjet për kryetarët e rinj të Partisë Demokratike në 6 degë, proces që nisi në orën 08:00 e u mbyll në orën 18:00 të pasdites.
Përmes parimit “një anëtar, një votë” 61% e demokratëve të Përrenjasit pas numërimit të fletëve të votimit, ia besuan drejtimin e Partisë Demokratike në këtë degë Arjan Karriqit.
Në Berat fituesi pritet të dalë mes katër kandidatëve në garë për kreun e ri të kësaj dege, Shyqyri Duros, Ermal Dollanit, Oltion Merdarit dhe Afrim Merkos.
Edhe në Librazhd mbyllet gara mes tre kandidatëve, Ilirjan Alliut, Ndriçim Lilës dhe Shefki Çotës, me fitues Ilirian Alliu.
Në Tiranë anëtarësia u thirr për të votuar në tre degë të saj. Në atë numër 1 ku garojnë për kreun e ri të kësaj dege Alban Petku dhe Fetah Hasanaj, ndërsa në degën 8 kreu i ri pritet të dalë nga gara mes dy kandidatëve Gazmend Sallakut dhe Ylli Subashit.
Konkurrenca më e madhe është degën 5 në kryeqytet, ku konkurrojnë Alfred Tusha, Andon Frrokaj, Dritan Kociaj, Enkeleda Mushi dhe Fatmir Myrta.
Deri më tani Komisioni i Rithemelimit ka zhvilluar zgjedhjet për kryetarët e rinj të Partisë Demokratike në 32 degë. Por ky proces është kontestuar me forcë nga kreu i grupit parlamentar Enklelejd Alibeaj, i cili përmes një platformë kërkoi anulimin e menjëhershëm të tyre, me qëllim bashkimin e demokratëve dhe nisjen e një procesi nga baza në qendër.
Por ky propozim i tij u hodh poshtë nga Komisioni i Rithemelimit, i cili pas përmbylljes së zgjedhjeve në 30 Prill mbledh Kuvendin Kombëtar të demokratëve, forumi më i lartë drejtues që do të zgjedhë Këshillin e ri Kombëtar.