Numri i të vaksinuarve në vendin tonë ka arritur shifrën 172 486, ndërsa sot u mbyll dita e gjashtë e vaksinimit masiv.

Sot nisi vaksinimi i gazetarëve, ndërsa do të pasohet nesër me  efektivët e policisë.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha ditën e sotme se vendi ynë po ndjek planin e vaksinimit të kombinuar.

“Fillojmë me Tiranën, pastaj shtrihemi në gjithë Shqipërinë. Ne po ndjekim planin e vaksinimit të kombinuar. Pra në grupet e riskut ku futen dhe ata të shërbimeve kritike, siç janë policët dhe nga sot në drekë me gazetarët dhe operatorët e terrenit”, njoftoi Manastirliu.

Prej gjashtë ditësh tashmë, në vend vijon vaksinimi masiv ndërsa në sheshin “Skënderbej” janë ngritur dy çadra ku po kryhet vaksinimi i të moshuarve mbi 75-vjeç me vaksinën kineze “Sinovac”.

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka njoftuar se brenda muajit prill në vendin tonë do të vijnë edhe 23 mijë doza të tjera të vaksinës Pfizer.

“Brenda javëve të prillit edhe 23 mijë doza të tjera Pfizer”, shkruan kryeministri përmes një postimi në rrjete sociale.

Rama shprehet se sezoni turistik do të lehtësohet dhe Shqipëria do të ngjitet shpejt në shkallët e klasifikimit në Evropë.

Kujtojmë se procesi i vaksinimit në vend vijon që prej 11 janarit në qendra të vaksinimit dhe shkolla. Qytetarët shqiptarë deri më tani po imunizohen me vaksinat Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Coronavac.

Gjatë 24 orëve të fundit kanë rezultuar të infektuar në vend 336 qytetarë, janë shëruar 625 dhe kanë ndërruar jetë 6 pacientë me COVID.
Aktualisht të shtruar në spitale janë 276 të infektuar me COVID, ku 12 janë në terapi intensive, nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar.
Numri i rasteve pozitive në vend ka shkuar në 125,842 që nga fillimi i pandemisë, ku 31,095 janë raste aktive.
Raste të shëruara janë 92,500 dhe kanë ndërruar jetë 2247 qytetarë.

Top Channel