
Një nga ngjarjet më të rënda që u shënuan në vitin 2016 ishte edhe vrasja e Suela Sulës, vrasje të cilën e kishte porositur bashkëshorti i saj. Ose ky ishte rezultati i hetimit dhe më pas edhe i gjykimit ku bashkëshorti ra në pranga, por për shkak se ai ngriti alibi, grupi hetimor kërkoi vrasësin e saj. Dhe ai ishte pikërisht punëtori i bashkëshortit të saj, i cili kishte kryer porosinë e eprorit.
Ngjarja tronditi opinionin publik ndërkohë që autori i krimit të rëndë u arrestua kohë më vonë. Të tria shkallët e gjykimit iu dhanë burgime të përjetshme bashkëshortit dhe autorit të vrasjes, por ky i fundit vendosi të shkonte në Gjykatën Kushtetuese me ankimimin për cenim të të drejtave në proceset gjyqësore. Sipas tij nuk kishte fakte të pabazuara në prova që e përfshinin atë në atë krim monstruoz, të vrasjes së Suelës në tualetin e biznesit të bashkëshortit të saj.
Pak ditë më parë Gjykata Kushtetuese vendosi të lërë të pandryshuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Fatjon Karmeshtnës, i shpallur fajtor për vrasjen e një gruaje në Melgushë të Shkodrës, në prill të vitit 2016. Karmeshtna është dënuar në të tre shkallët e gjyqësorit për vrasjen e Suela Sulës, bashkëshortes së Sadetin Sulës, pronar i mobilerisë ku Karmeshtna punonte. Krimi, sipas vendimeve gjyqësore, është kryer me urdhër të Sadetin Sulës.
Para Gjykatës Kushtetuese, 42-vjeçari kërkoi shfuqizimin e tre vendimeve gjyqësore, duke pretenduar se gjykatat e mëparshme nuk kishin kryer hetim të plotë dhe të gjithanshëm, se kishin injoruar prova të kërkuara prej tij dhe se vendimet ishin bazuar në prova të paqena dhe të pa mbledhura sipas ligjit. Megjithatë, në shqyrtimin paraprak të ankimit, një kolegj prej tre anëtarësh i Gjykatës Kushtetuese konstatoi se pretendimet e Karmeshtnës për cenim të të drejtave kushtetuese ishin haptazi të pabazuara.
Për këtë arsye, gjykata vendosi të mos e kalojë çështjen për gjykim, duke lënë kështu në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm. Sipas vendimeve gjyqësore, vrasja u krye nga Karmeshtna me duar dhe mjete të tjera, me urdhër të punëdhënësit të tij. Në gjykatë u provua se materiali gjenetik i gjetur në thonjtë e viktimës përputhej me ADN-në e Karmeshtnës.
Gjykata konstatoi se krimi ishte pasojë e një marrëdhënieje të tensionuar bashkëshortore për shkak të xhelozisë së Sadetin Sulës, i cili e planifikoi vrasjen për të mos lejuar që bashkëshortja e tij të përfitonte pasuri në rast divorci. Për të njëjtën ngjarje, edhe Sadetin Sula është dënuar me burgim të përjetshëm.
