Një grua gjermane doli në gjyq e akuzuar për vrasjen e pesë nga gjashtë fëmijët e saj në një çështje që shkaktoi tronditje të gjerë në Gjermani vitin e kaluar.
Christiane K., u paraqit të hënën para një gjykate rajonale në qytetin perëndimor të Wuppertal, duke mos pranuar t’i përgjigjej asnjë prej pyetjeve të gjyqtarëve.
Prokurorët pretendojnë se 28-vjeçarja u dha fëmijëve të saj të vegjël doza të mëdha të ilaçeve të ndryshme, para se t’i fuste në vaske një nga një dhe t’i mbyste.
Ajo më herët kishte dërguar djalin e saj të madh për të qëndruar me gjyshen e tij, e cila thirri policinë. Oficerët që mbërritën në shtëpinë e familjes në qytetin e Solingen gjetën tre vajza, të moshës 1, 2 dhe 3 dhe dy djem, 6 dhe 8, të vdekur në shtretërit e tyre.
Sipas agjencisë gjermane të lajmeve dpa, e pandehura ka mohuar vrasjen e fëmijëve të saj në fillim të shtatorit 2020. Në vend të kësaj, ajo pretendon se një njeri i maskuar hyri në shtëpinë e saj, e lidhi dhe e mbërtheu, dhe më pas vrau fëmijët, një version i ngjarjeve për të cilat hetuesit thonë se nuk ka prova mbështetëse.
Prokurorët thonë se para vrasjes gruaja kishte një debat te forte mesazhesh me ish-burrin e saj, nga i cili ajo ishte ndarë, dhe e kishte kërcënuar se ai nuk do t’i shihte më fëmijët e tij.