Një drejtues mjeti që lëvizte me shpejtësi skëterrë në Unazën e Madhe të Tiranës, në afërsi të Babrrusë, është fiksuar nga makina inteligjente e Policisë Rrugore me 192 km/h. Pra, një shpejtësi 2.5 herë më e lartë se ajo e lejuar.

Policia ka nxjerr pamjet dhe apelon të gjithë drejtuesit e mjeteve që të moderojnë shpejtësinë, sepse sjellje të tilla përbëjnë kërcënim serioz për jetën e drejtuesve të mjeteve, pasagjerëve dhe përdoruesve të tjerë të rrugës.

“Stop shpejtësisë! Mbro veten dhe të tjerët”, thotë njoftimi, ndërkohë që theksohet se Policia Rrugore vijon monitorimet intensive me poliscanë në akset nacionale, me fokus të veçantë te ndëshkimi i shkeljeve që cënojnë sigurinë rrugore.

Me shpejtësi gati 2.5 herë mbi normën e lejuar, drejtuesi i mjetit që lëvizte në Unazën Veriore, segmenti Sheshi Shqiponja–Babrru, ka krijuar rrezik të madh për përfshirje në ngjarje rrugore.

Shoferi i BMW luksoze është ndëshkuar me masën administrative respektive për shpejtësi mbi normat e lejuara, si dhe i janë zbritur disa pikë nga leja e drejtimit, ndërsa Policia Rrugore apelon që të zbatohen rregullat e qarkullimit rrugor.