Ministrja Krifca: Cilësia është standardi kryesor për gjetjen e tregjeve.

Problemet e fermerëve prodhues me çmimet e produkteve bujqësore janë vënë në qendër të vemendjes së Ministrisë së bujqësisë. Për të parë nga afër situatën në Allkaj të Lushnjes ka qenë ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca.

Në një nga serat e zonës i gjithë prodhimi është i destinuar për t’u eksportuar me çmime të larta që justifikon punën e kryer. Zonja Krifca e ka cilësuar model suksesi këtë arritje duke vënë theksin se cilësia është standardi kryesor për gjetjen e tregjeve.

Ministrja e Bujqësisë theksoi se deri në datën 2 Qershor do të përfundojë shpërndarja e naftës për të gjithë fermerët që aplikuan.

Gjergji Liçi nga fshati Allkaj ka kultivuar në serat e tij kastravec për turshi dhe bostan.

Ai shtoi se ka pasur momente që prodhimi i është shitur me çmime të ulëta, por ka ditur të gjejë rrugët për të kapur edhe çmimet më të larta duke marre fitime të kënaqshme.

Ministria e bujqësisë deklaroi se do të jetë gjithmonë në terren për të mbështetur dhe parë nga afër punën e fermerëve. Gjithashtu ajo bëri me dije se këtë vit mbështetja e qeverisë me buxhetin për bujqësinë ka qenë më i madhi i dhënë ndonjëherë ndërsa vitin tjetër buxheti do të jetë akoma më i madh.