Gjykata e Tiranës ka lënë në burg pa afat 41-vjeçarin Filip Shehu, i cili më 28 tetor vrau me thikë kolegun e tij kuzhinier brenda ambienteve të punës.

Indrit Ismaillari, 34 vjeç, u godit tre herë me thikë nga Shehu. Fatkeqësisht, Ismaillari nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.

41-vjeçari u arrestua menjëherë pas krimit.

Si ndodhi ngjarja 

Një debat banal për një picë me proshutë u bë molla e sherrit mes autorit të arrestuar, Filip Shehu dhe kolegut të tij të punës, Indrit Ismaillari.

Burime bëjnë me dije se te lokali një klient kishte porositur një picë me proshutë.

Autori Shehu i cili kishte vetëm tre muaj si i punësuar në këtë biznes si ndihmës picier ka marrë një produkt ushqimor, por Ismaillari i ka thënë që të përdorë një produkt tjetër.

Referuar dëshmisë së autorit të prangosur, viktima në këtë moment e ka sharë dhe menjëherë Shehu ka marrë një thikë te tavolina dhe e ka goditur disa herë.

Dëshmia e tij përputhet edhe me pamjet filmike të sekuestruara nga blutë, ku viktima pasi shkon në frigorifer për të marrë një proshutë tjetër, ndërkohë autori merr thikën dhe e godet tre herë, një goditje në qafë dhe dy herë në pjesën e barkut.

Janë marrë dëshmitë edhe të stafit tjetër të lokalit që kanë thënë se nuk kishin afrimitet me autorin pasi ishte i heshtur dhe i distancuar nga të tjerët.

43-vjeçari Shehu jetonte vetëm dhe rezulton i proceduar dhe më herët për posedim të armëve të ftohta./vizionplus.tv