Mes dhimbjes, duartrokitjeve dhe trëndafilave të bardhë, familjarë, miq dhe të afërm i dhanë lamtumirën e fundit Artan Lames, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë në Mynih të Gjermanisë, ku kishte shkuar për një ndërhyrje në zemër.

Ish-kreu i ALUIZNI-t, i njohur edhe si publicist, opinionist dhe studiues i historisë shqiptare, kishte mbijetuar një ataku kardiak në vitin 2016. Në një postim prekës një vit më vonë, ai e përshkroi atë përvojë si një “kthim në jetë”, duke reflektuar mbi fragjilitetin e jetës dhe rëndësinë e dhënies dhe përkushtimit.

Artan Lame lindi në Tiranë në vitin 1967, me origjinë nga fshati Qytezë i Kolonjës. Ai kontribuoi për vite me radhë në jetën publike dhe politike të vendit, duke drejtuar institucione të rëndësishme si ALUIZNI dhe më pas Kadastrën, si dhe duke qenë aktiv në radhët e Partisë Socialiste. Njihej si një zë i fuqishëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Lame la pas bashkëshorten dhe dy fëmijët. Ai do të kujtohet si një intelektual i angazhuar, një zyrtar me vizion dhe një njeri që e deshi jetën, por që i njohu edhe kufijtë e saj.