2.3 milionë qytetarë të huaj kanë hyrë në Shqipëri në 4 muajt e parë të këtij viti, duke shënuar një diferencë prej rreth 640 mijë më shumë se një vit më parë. 

Edhe muaji i fundit ka shënuar një kurbë rritëse me rreth 800 mijë të huaj që kanë zgjedhur për të vizituar vendin tonë. Fluksi më i madh është në Rinas ku për të menaxhuar këtë sezon do të shtohen 100 punonjës policie.

“Fluksi në Rinas ka patur rritje të madhe. Po përpiqemi të rritim numrin e pajisjeve dhe personelit dhe mbajtjen në eficencë të pajisjen me qëllim që ta përballojnë me sukses. Kemi parashikuar rritjen me 100 punonjës të policisë kufitare”, tha Saimir Boshnjaku, Drejtor i Kufirit dhe Migracionit.

Fluks kanë të tjera pika kufitare si porti i  Durrësit, ai i Sarandës dhe pikat e kalimit kufitar që na lidhin me Kosovën, që sipas marrëveshjes kalimi i kufirit do të ndodhë me procedura të shpejtuara, përgjatë 9 muajve të vitit dhe në fundjavat e festave.

Ndërkohë policia kufitare do ti kushtojë një rëndësi të veçantë dhe lundrimit në det dhe ruajtjes së pushuesve.

“Njësia policore detare dha një kontribut të mbarëvajtjes së sezonit turistik të vitit të kaluar. Kemi forcuar bashkëpunimin me pushtetin vendor agjensinë e bregdetit dhe ministrinë e Turizmit”, tha Boshnjaku.  “Vëmendja jonë do të jetë e shtuar në vijën bregdetare sidomos ne respektimin e rregullave të lundrimit apo mjeteve turistike.”

Paralelisht me menaxhimin e fluksit të lëvizjes policia kufitare është e angazhuar dhe për goditjen e krimeve ndërkufitare ku në ndihmë i kanë ardhur pajisjet e marra si donacion dhe trajnimet.

“Nga qeveria britanike kemi mbështetje logjistike me dron. Nga Gjermania kemi marrë pajisje për kontrolle të vijës së dytë. Kemi bërë trajnime për zbulimin e dokumenteve të falsifikuara apo ato me ngjashmëri”, theksoi drejtori.

Gjatë këtij viti Policia e Shtetit dhe FRONTEX kanë realizuar 15 operacione policore  me 45 të arrestuar për goditjen e fenomenit të emigrantëve të parregullt ku janë identifikuar 500 persona që kanë hyrë ilegalisht në vendin tonë.

Top Channel