Pas infektimit të të paktën 17 fëmijëve me salmonelë në kopshtin në Gramsh, kryetari i bashkisë Ajazi, ka reaguar duke sqaruar mënyrën se si funksionon furnizimi me ushqim në institucion.
Ai theksoi se bashkia ka përgjegjësitë e saj, por këmbënguli se kërkohet gjithmonë fleta e analizave gjatë furnizimit me produkte ushqimore.
Lidhur me mënyrën se si janë kryer procedurat për tenderin, Ajazi tha: Nuk mundet që kryetari i bashkisë të dijë vlerën e tenderit. Procedura është e rregullt. Institucionet janë të mirëpritura të kontrollojnë gjithçka.
Ai shtoi se situata po ndiqet me seriozitet dhe se shpreson që nuk do të ketë raste të tjera: “Jemi në ditët e fundit, besoj se nuk do kemi më raste.”
“Ushqimi nuk funksionon me katering, por me furnizim nga një kompani dhe me gatim në ambientet e kopshtit me kuzhinier që prej vitesh ushqejnë vogëlushët. Bashkia ka përgjegjësitë e veta, përgjegjësia jonë është në momentin që bëhet furnizimi ne kërkojmë fletën e analizave. Më intereson shumë gjendja shëndetësore e vogëlushëve dhe gjendja shpirtërore e prindërve dhe asgjë tjetër që lidhet me protagonizmin e ndonjë palaçoje politike.
Nuk mundet që kryetari i bashkisë të dijë vlerën e tenderit. Procedura është e rregullt, institucionet janë të mirëpritura të kontrollojnë procedurat. Jemi në ditët e fundit, besoj se nuk do kemi raste të tjera”-u shpreh Ajazi.