Banorët e Dukatit të Vlorës duhet të jenë këtë pasdite me sytë nga qielli, në pritje të një shiu që nuk është parashikuar nga meterologët, e ndoshta shumëkush prej tyre beson ende te një mrekulli.
Teksa shohin zjarrin t’iu afrohet gjithnjë e më shumë banesave të tyre, dhe dëgjojnë në televizor ministrin Niko Peleshi, e pas tij dhe kreun e emergjencave civile Haki Çako, se në zonë sot do të hedhin ujë nga ajri tre helikopterë, familjarët e shumë të tjerë që shohin skenën, pyesin se pse nuk ndjejnë zhurmën e tyre.
Në ndryshim nga dje, ku të paktën një helikopter u shfaq në Karaburun për të shuar flakët, sot asnjë mjet i Ministrisë së Mbrojtjes nuk ka qenë në zonë për të shuar zjarrin që po përparon gjithnjë e më shumë si pasojë e erës së madhe që fryn në zonë.
Siç shihet dhe nga pamjet e mëposhtme, të vetmit që ndodhen realisht në terren janë punonjësit e forcave të Armatosura, të cilët me kazma dhe lopata në duar, po tentojnë me çdo kusht që të ndalin përparimin e flakëve, që tashmë nuk po kursejnë asgjë.
Në mesin e kësaj situate apokaliptike, u shfaq sot në Dukat dhe Çako i Emergjencave civile, i cili dje u ”shpall në kërkim” nga kreu i Kontrollit të Lartë të shtetit, pasi në kulmin e kësaj emergjence mjedisore, kishte marrë disa ditë pushimi për një event familjat.
Çako udhëzon: Me lopata, kasma, sëpata e motorsharra të ndalim flakët!