Jetesa në Tiranë nuk është lehtësisht e përballueshme nga të gjithë. Akomodimi, ushqimi, faturat mujore por edhe pak argëtim, kapin një vlerë rreth 800 euro në muaj deklarojnë disa qytetarë.
Fatmirësisht thonë se paguhen mirë për të jetuar në Tiranë, megjithëse çmimet i konsiderojnë të shtrenjta.
“Të shtrenjta, ajo varet në bazë të rrogave që merr. Ka rroga të dobëta që nuk e përballojnë Tiranën. Po shkojnë tek rreth 7-800 mijë lekë, 1 milionë lekë.”
“Qiraja varion diku te 200-250 euro. Duke filluar nga pjesa e ushqimit, ku çmimet janë sigurisht shumë herë më të larta krahasimisht me të ardhurat që një shqiptar mesatar merr. Do thoja një vlerë diku te 800 euro.”
Por ndryshe është për pensionistët, qoftë për ata që jetojnë në kryeqytet apo ata që jetojnë në rrethe. Çdo fillim muaji llogarisin shpenzimit më të domosdoshme, ndërsa u janë falenderues për ndihmën, fëmijëve që i kanë në emigracion.
“Tirana është një qytet që kërkon shpenzime. Shtresa e varfër nuk e përballon dot. Merr gruaja më tepër, balancohemi dhe shpenzojmë.”
“Nëse e kemi pensionin 500 mijë, do i përpjesëtosh për brenda muajit. Me laps e me letër do merrem. Ne kemi fëmijët në emigracion, na dërgojnë. Na ndihmojnë.”
Pensionet e pamjaftueshme dhe shtrenjtimi i çmimeve i kanë bërë të kufizohen edhe në konsumin e përditshëm ushqimor.
“Ato që janë kryesore nuk i konsumojmë dot. Mishin, peshkun ato që janë më të shtrenjta.”
Sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare gjatë tre mujorit të parë të 2024 është 73,641 lekë, ndërsa pensioni mesatar në qytet 18, 341 lekë dhe 11, 051 lekë për ata që jetojnë në fshat.