ELBASAN

Policia e Elbasanit ka arrestuar një 31-vjeçar ndaj të cilit ishte vendosur nga gjykata “Arrest me burg” për pastrim parash.

Në kuadër të një procedimi për gjurmimin, lokalizimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Resource”.https://www.youtube.com/embed/JMy1NRC75eQ?feature=oembed

Si rezultat i operacionit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, u kap dhe u ndalua shtetasi Marselo Arani, 31 vjeç, banues në Elbasan, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendimin e datës 01.12.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Gjithashtu, u bë sekuestrimi i pasurive me vlerë rreth 136 000 euro (1 apartament në Durrës dhe 3 automjete), të cilat dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të këtij shtetasi.

31-vjeçari ka qenë i arrestuar më parë në Itali, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për shfrytëzim prostitucioni.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.