Kishte shumë raportime javët e fundit se WhatsApp po punonte për të bërë të mundur transferimin e chats midis iOS dhe Android. Tashmë ky shërbim u prezantua zyrtarisht gjatë eventit Unpacked të Samsung. Galaxy Z Fold 3 dhe Z Flip 3 do të jenë pajisjet e para që do ta lejojnë një gjë të tillë.

Shërbimi do të dalë gradualisht për të gjitha pajisjet Samsung që përdorin Android 10 ose 11 para se të arrijë drejt të gjitha pajisjeve të tjera Android dhe iPhone në javët në vijim. Nuk ka ende asnjë datë të caktuar ende, por duket se Samsung po përpiqet të mbajë ekskluzivitetin për të bindur përdoruesit e iPhone të kthehen në përdorues të Samsung.

WhatsApp nuk e ka bërë të qartë akoma se kur përdoruesit e Android do të mund të transferojnë chats në iPhone. Transferimi i chats do të arrihet duke lidhur dy pajisjet me një kabëll USB-C to Lightning dhe jo përmes internetit, një mënyrë jo shumë e favorshme kjo.

Që nga krijimi i saj mbi një dekadë më parë, WhatsApp është shndërruar në aplikacionin më të përdorur të komunikimit në botë. Ndërrimi i smartphone-ve më parë ishte një problem, pasi midis platformave të ndryshme ishte i pamundur transferimi i chats nga një pajisje në tjetrën.