Një ushtarak shqiptar i përzgjedhur për të qenë pjesë e një misioni bashkëpunimi me ushtrinë e Holandës, në kuadër të NATO-s, është arrestuar nën dyshim si i përfshirë në aktivitet kriminal.
Top Channel duke iu referuar policisë së Holandës, raporton se është vënë nën hetim majori Ermal Dinoshi, me detyrë specialist stërvitje.
Pas arrestimit, ushtaraku shqiptar është duke u hetuar në gjendje të lirë nën dyshimin e përshtatjes së një shtëpie për rritje kanabisi.
Dinoshi, thotë policia e Holandës, dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë, ngritën një shtëpi për rritje kanabisi në qytetin Brunsum.
I kontaktuar nga Top Channel për të dhënë versionin e tij të ngjarjes, major Dinoshi mohoi kategotikisht përfshirjen e tij në këtë ngjarje.
“Çfarë? Çfarë? Absolutisht jo, kujdes me privatësinë. Ju lutem kjo që thoni është e pavërtetë. Keni ngatërruar person i nderuar”, tha ai.
Ministria e Mbrojtjes pasi u kontaktua nga Top Channel, përmes zëdhënësit Fation Hoxhalli dha këtë reagim.
“Është përfshirë në një veprimtari për të cilën autoritetet holandeze janë duke e investiguar në gjendje të lirë.
Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes është në pritje të një raporti nga autoritet holandeze.
Ministria e Mbrojtjes i ka ndaluar të ushtrojë përgjegjësitë e detyrën në bazë dhe ka urdhëruar kthimin e menjëhershëm në atdhe”.
Ministria e Mbrojtjes thekson se po bashkëpunohet me autoritetet holandeze për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe marrjen e masave përkatëse ligjore në vijim.
Kjo ngjarje ngre një sërë pikëpyetjesh se si ushtarakët e vendit tonë, anëtar i NATO-s përzgjidhen dhe në çfarë filtrash kalojnë për të shkuar në të tilla misione.
Sipas informacioneve që vinë nga strukturat e ushtrisë shqiptare, e njëjta përzgjedhje është bërë dhe këtë vit, me njerëz pa merita dhe pa kriter.
Shqipëria si vend i NATO-s, por edhe në këtë situatë ku është rritur kërcënimi i aktorëve të jashtëm e të brendshëm, është e rëndësishme një transparencë gjithnjë në rritje e kësaj përzgjedhjeje.