Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka ngritur shqetësimin për rënien e lindshmërisë në vend dhe ka paralajmëruar masa të reja për ta adresuar këtë çështje. Gjatë një aktiviteti qeveritar, ai tha se po shqyrtohet mundësia e vendosjes së taksave shtesë për qytetarët që janë ende të pamartuar, si një përpjekje për të nxitur krijimin e familjeve dhe shtimin e lindjeve.

Mickoski theksoi se rënia e natalitetit nuk është një problem i izoluar vetëm për Maqedoninë e Veriut, por një sfidë e përbashkët për shumë vende të Evropës dhe më gjerë. Sipas tij, është momenti për të ndërtuar një shtet ku të rinjtë të motivohen të martohen dhe të kenë fëmijë, duke theksuar se kjo është e domosdoshme për të ardhmen demografike të vendit.

Ai publikoi të dhëna alarmante për vitin 2024, ku lindën vetëm 16.061 fëmijë ndërkohë që u shënuan 20.201 vdekje, çka përkthehet në një rënie natyrore të popullsisë me 4.140 persona. Mickoski shtoi se në shumë zona rurale tashmë nuk hapen më klasa të para, ndërsa gjithnjë e më shumë qytetarë jetojnë vetëm, duke e bërë situatën edhe më shqetësuese.

“Të ndërtojmë institucione që nuk e shpenzojnë rininë e të tjerëve, por e kultivojnë atë. Të ndërtojmë një shtet ku shpresa është më e rëndësishme se pasaporta. Dhe seriozisht mendojmë edhe për taksa shtesë për të pamartuarit dhe të pamartuarat. Në katër vitet e fundit kemi humbur më shumë se 33 mijë banorë, sikur të ishte zhdukur një qytet sa Kavadari apo Kërçova. Norma e lindjes ka rënë nga 12,5 për qind në vitin 2010 në vetëm 8,8 për qind në vitin 2024”, tha Mickoski.