Pushimet kanë përfunduar për Silvinjon, Trajneri i kombëtares së Shqipërisë dhe bashkëpunëtorët e tij kanë nisur punën për sfidat e marsit, të parat në eliminatoret e “Botërorit 2026” kundër Anglisë në “Wembley” dhe Andorrës në “Arenën Kombëtare”.
Pas rikthimit në Shqipëri, tekniku dhe dy ndihmësit e tij Zabaleta dhe Doriva udhëtuan sërish në mesjavë drejt Pragës, ku ndoqën derbin kuqezi në Champions League mes Qazim Laçit dhe Kristjan Asllanit, në sfidën Sparta-Inter.
Të dy lojtarët ishin titullarë dhe bënë një paraqitje shumë të mirë, por të dy mesfushorët e kanë të sigurt vendin në kombëtare.
I njëjtë diskutimi edhe për titullarët e tjerë të përfaqësueses shqiptare.
Por pas zhgënjimit në Ligën e Kombeve, Silvinjo është I detyruar të gjejë zgjidhje taktike dhe pse jo edhe në interpretues për eliminatoret e Kupës së Botës.
Për këtë arsye, nuk përjashtohen risitë në listën e parë të trajnerit kuqezi për vitin 2025. E sigurt duket rikthimi i Anis Mehmetit, i cili po bën një sezon të shkëlqyer me Bristol City në Championship anglez.
Sulmuesi ka shënuar 9 gola dhe ka dhënë një asist, ndërsa ka bindur Silvinjon t’i japë edhe një shans, pas tre grumbullimeve të mëparshme. Po ashtu, tekniku po ndjek edhe disa lojtarë të tjerë, të cilët mund të jenë gjithashtu risi në zgjedhjet e tij për debutimin në eliminatoret e “Botërorit 2026”.