Shkruar nga Sokol Pepushaj
Në njërën skenë “koncerti” amerikan, në tjetrën konflikti sorosian, po na mahnisin me talentin hollivudian të magjisë së realitetit relativ.
Hajdutët kanë ngelur në derë të SPAK-ut, pasi derës së burgut i ka vënë shulin dhe shpatullat Edi Rama, duke i dhënë pamjen e një pasarele të hapur, skenës nga sillen e përdridhen mafiozët me rroba firmato e makina luksoze.
Me lloz u është mbyllur edhe Qielli, të gjithëve.
Nuk udhëton dot në perëndim asnjëri që është nën hetim, pa një “vërtetim” nga Amerika, çka nënkupton mbikëqyrje të rreptë të çdo rrepisti që përformon veç arrogancë, edhe kur duhen shfaqur si silueta në nivele të larta të OKB-së, apo organizmave të tjera të organikës zhvillimore.
Asnjë qeveritar, politikan apo pushtetar sot, nuk është i mbuluar nga ekskluziviteti i aktivitetit kriminal siç ka ngjarë më parë.
Audienca që i ndjek, shfaq kureshtje, ç’bëhet pas çelësit të SPAK-ut, dhe kur do të shpërthehet me forcë brava e burgut, që bota magjike të shtrembërohet dhe të ulen degët poshtë, aq sa frutat të kapen me dorë e të sistemohen në arkat që ka lënë gati ambasadorja Yuri Kim.
Në njërën skenë “koncerti” amerikan, në tjetrën konflikti sorosian, po na mahnisin me talentin hollivudian të magjisë së realitetit relativ.
Në realitet, pema e pushtetit është tharë.
Tredhjet e sterilizuara nga SPAK-u, shihen si trend i drejtësisë së re, që i mban në jetë ata që ua kanë ‘nxirë’ jetën një populli, me justifikimin banal, se Klanet Mafioze nuk hapin as shtegun e rrugës, as shulin e portës së burgut.
T’i ngelin në derë për kaq gjatë SPAK-ut; Sali Berisha, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Olta Xhaçka, Frida Krifca, Ilir Beqja, Monika Kryemadhi e shumë të tjerë, dhe pas derës Shkëlzen Berisha, Olsi Rama, Erion Veliaj e gjithë violinat e pasurive tona kombëtare, krijohet atmosferë me instrumente ekzagjeruese për emocionet e fshatarëve që rrinë me sy në SPAK./Pamfleti