Një protestë individuale ka nisur përpara ambienteve të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) nga Rexhep Ademi, banues në Golem. Ademi kërkon drejtësi për familjarët e tij të vrarë për shkak të konflikteve për pronat ndërsa thotë se tani duan që t’i shembin dhe shtëpinë.
Rexhep Ademi është ulur përpara SPAK ndërsa veten e ka rrethuar me pankarta ku të stampuara janë emrat e nënës dhe dajës së tij të vdekur, në njërën kërkohet apel për drejtësi e në tjetrën janë imazhe të pronës.
“I vdekur që i vdekur jam… Nënën ma vranë, dajën ma vranë, pronat i kam vuajtur, shtëpinë duan të ma prishin. Tani, do të bëjmë konflikt dhe ose do hyjmë në burg, ose do vritemi. Më mirë vdes këtu. Do bëj grevë këtu në rrugë, deri në vetëflijim”, është shprehur Rexhep Ademi për mediat.
Ai kërkon nga drejtësia që të hetojë vrasjen e shtetasit Selman Ismaili dhe tentativën e vrasjes së Sheko Qerim Ademi. Ai thotë se rasti i familjes Qerim Rifat Ismaili bën fjalë për një tentativë vrasje dhe një vrasje të arkivuar si vetëvrasje nga shteti.
Rexhep Ademi pretendon se vrasjet e familjarëve të tij dhe tentativat janë bërë nga personat që i kanë grabitur pronën, ndaj ai kërkon nga Prokuroria e Posaçme, si institucioni i fundit ku ka ende besim, që të bëjë drejtësi.






