Lëreni mënjanë Italinë dhe rivierën franceze Cote d’Azur, drejtohuni në Shqipëri! Bregdeti shqiptar është padyshim sekreti më i mirë i ruajtur në Evropë. Zbulimi i një perle të fshehur në Evropë është bërë gjithnjë e më i vështirë, sipas një artikulli të publikuar në të përditshmen franceze “Stars Insider”.

Planifikoni një udhëtim në vendin e vogël mesdhetar me çmime të përballueshme! Në fund të fundit, Evropa është kontinenti më i vizituar në botë.

Dhe dëshira është edhe më e fortë kur bëhet fjalë për një destinacion buzë detit.

Pra, nëse planifikoni të udhëtoni – drejtohuni drejt Ballkanit, i cili ka shumë për të ofruar dhe për arsye shumë të vlefshme.

Zbuloni më të mirën e kësaj perlë të fshehur evropiane.

E vendosur në veriperëndim të Greqisë, Shqipëria ka jo një, por dy dete: Detin Jon, i cili kalon nga bregu perëndimor i Greqisë, dhe Adriatikun në veri.

Dëshmi e vendndodhjes së privilegjuar të Shqipërisë, – vendi, i cili ka një vijë bregdetare prej 426 kilometrash – ndodhet afërsisht 96 kilometra nga rajoni italian i Pulias, i famshëm për plazhet dhe ndërtesat e saj.

Fluturimi drejt vendit ballkanik është shumë më i lehtë se disa vite më parë. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” ofron fluturime ndërkombëtare përmes linjes ajrore “Air Albania”.

Riviera Shqiptare

E njohur si bregdeti jugor i vendit, me pamje nga deti Jon është vendi ku ndodhen plazhet më të njohura të vendit.

Duke qenë se bregdeti është ende relativisht i panjohur për turistët e huaj, mënyra më e mirë për të eksploruar plazhet është me makinë.  Marrja me qira e një makine në qytet është e lehtë dhe e përballueshme.

Akomodimi

Qyteti i Himarës është një opsion perfekt për turistët me buxhet të kufizuar.

Për diçka më të pasur, Dhërmiu është alternativa ideale. Mos prisni hotele me 5 yje, por nëse jeni duke udhëtuar drejt bregdetit shqiptar, me siguri do të përpiqeni të shmangni këtë lloj turizmi plazhi.

Nëse jeni më aventurier dhe kërkoni një akomodim të thjeshtë, fshati i Vunos është vendi duhur për t’u vendosur.

Nëse dëshironi të kombinoni sa më shumë opsione, qëndroni në Sarandë, zona turistike e vendit që ndodhet pranë kufirit me Greqinë.

Kamping

Pse të mos zgjidhni një plazh dhe kampingun? Kampinget në natyrën e egër lejohen në pjesën më të madhe të vendit.

Plazhet më të mira

Bregdeti shqiptar është i mbushur me plazhe që ndërthuren me fshatra piktoreskë, rrugë me kalldrëm dhe kisha ortodokse që presin të eksplorohen.

Vlora

Qyteti i tretë i më i madh Shqipërisë është gjithashtu një destinacion i jashtëzakonshëm plazhi.

Duke marrë një varkë nga porti, mund të arrini në gjiret e pacënuara të Karaburunit dhe Sazanit.

Nartë, Vlorë

E vendosur 15 minuta me makinë nga Vlora, ky fshat ka një lagune të mrekullueshme blu.

Nga këtu mund të udhëtoni edhe në Zvërnec, një ishull me një manastir ortodoks të shekullit të XVIII të fshehur në pyll.

Plazhi i Dhërmiut

I ndodhur në afërsi të Dhërmiut, ky plazh është ndoshta më i famshmi në mesin e plazheve shqiptare. Me një rrip të gjatë me rërë të bardhë dhe ujëra bruz, rrallë është i mbushur me njerëz.

Gjiri i vogël që ndodhet pranë fshatit ka një formacion piktoresk shkëmbor që ndan plazhin me guralecë nga plazhi me rërë.

Plazhi i Jalës

Shpesh i quajtur “plazhi i qelqtë” për shkak të ujërave të tij të pastra kristal, Plazhi i Jalës është gjithashtu një vend i njohur për kamping.

Për të shkuar në plazh do t’ju duhet të ecni 3 kilometra në këmbë, ndaj merrni me vete ujë dhe ushqime.

Në fund të shtegut do të gjeni ujëra të ngrohta, të pastra dhe një rrjet shpellash që presin për t’u eksploruar.

Plazhi Himarës

I klasifikuar më parë si një vend ideal, Himara është gjithashtu një vend i përsosur për argëtim në plazh.

Plazhi i Livadhit

I ndodhur në afërsi të Himarës, ky plazh është i aksesueshëm në këmbë. Me bare, restorante, shezllone dhe çadra me qira, është një nga plazhet më të pajisur në zonë.

Porto Palermo

Nëse doni të plotësoni aventurën tuaj në plazh me një vizitë në një kështjellë, mos kërkoni më tej.

Kalaja – e cila daton nga sundimi venedikas në Shqipëri – shërbeu si bazë nëndetëse gjatë sundimit komunist dhe tani është gjysmë e braktisur.

Plazhi i Borshit

Plazhi më i madh në Shqipëri shtrihet në një vijë bregdetare prej 7 kilometrash. I rrethuar nga ullishte dhe maja malesh, Borshi është një perlë e vërtetë e paeksploruar.

Saranda

Kryeqyteti jozyrtar i Rivierës Shqiptare, Saranda është shtëpia e Plazhit të Pulëbardhës, një plazh me guralecë i mbuluar nga ujera blu dhe natyra e paprekur.

Plazhi i Pasqyrave

Plazhi i Pasqyrave është arratisja e përsosur për ata që kërkojnë ujëra të pastra kristal pa turma.

Syri i Kaltër

Edhe pse nuk është një zonë plazhi, Syri i Kaltër është i përkryer për not – i rrethuar nga peizazhe të bukura natyrore.

Plazhi i Ksamilit

I vendosur në jug të Sarandës, pranë kufirit me Greqinë, Ksamili njihet si “perla e Jonit” për shkak të bukurisë së tij natyrore.