Durrës-Monterubbiano: Kokaina ekspres”. Kështu shkruajnë mediat italiane këtë të diel në lidhje me ngjarjen e bujshme të arrestimit të ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku dhe nipit të tij, Edmond Kajmaku.
“Il Resto del Carlino” thotë se kjo fjali mund të tingëllojë si titull filmi, por në fakt është realiteti.
Agim Kajmaku dhe nipi i tij, Edmondi u vunë në pranga pasi u kapën me 20 kilogramë kokainë. Nëse kjo sasi do të hidhej në treg do të arrinte fitime deri në 1 milionë euro. Monterubbiano ishte kryqëzimi i kokainës, pasi sipas mediave italiane dyshohet se më pas shpërndahej në qytete të tjera në Itali ose çohej deri në Holandë.
Plani ishte thuajse perfekt. Tregu i gjerë i kokainës menaxhohej nga një fshat i izoluar i Marche-s, shumë pranë porteve të Ancona-s dhe Bari-t. Por diçka shkoi keq. Karabinierët e gjetën drogën brenda vazove të luleve që ishin blerë nga kompania, ku Agim Kajmaku ishte aksioner, ndërsa tashmë është në pronësinë e bashkëshortes së tij. Kjo ka bërë që hetimet të shtrihen edhe në Shqipëri.
Media italiane thotë se ditët e fundit në portin e Durrësit është ushtruar kontroll në një prej kamionëve të kompanisë shqiptare. Aty janë zbuluar disa vende të fshehta ku dyshohet se futej droga megjithatë, brenda mjetit nuk është konstatuar asnjë sasi droge. Prandaj autoritetet dyshojnë se kjo është skema se si kanë arritur të lëvizen qindra kilogramë drogë.
“Il Resto Del Carlino” thotë se policia shqiptare ka arritur që të zbulojë një llogari bankare në emrin e gruas së Agim Kajmakut me 2 milionë dollarë brenda. Nën hetim është origjina e këtyre parave. Hetuesit kanë verifikuar po ashtu, se Kajmaku ka udhëtuar nga Tirana në Ancona me avion 5 ditë para se të sekuestrohej sasia e drogës. Më pasi, ai ka udhëtuar në Monterubbiano së bashku me nipin e tij, duke përdorur një makinë me qira.
Sipas të dhënave nga mediat italiane, nipi i Kajmakut, Edmond Kajmaku, 34 vjeç, para se të arrestohej jetonte në Monterubbiano dhe më përpara ka qenë drejtor i UKT.
Pra dy persona të padyshuar: Një politikan dhe një ish-ekzekutiv i rëndësishëm. Megjithatë, të dy kanë lëvizur kilogramë të tërë me drogë me supozimin se mbështeten nga krimi i organizuar shqiptar”, shkruan media italiane.
Ish-kreu i Bashkisë së Vorës u arrestua bashkë më nipin e tij në 27 Maj në Itali pas një operacioni antidrogë ku iu gjetën 20 kg kokainë. Lënda narkotike ishte fshehur brenda vazove të bimëve që ishin blerë nga kompania në zotërim të Kajmakut.