Javën e kaluar, kur korriku po mbyllej, rreth 160.000 njerëz në Itali mësuan se përfitimet e tyre sociale do të shkurtoheshin. Lajmi iu komunikua shumë njerëzve me mesazhe, një metodë e cilësuar si “brutale” nga një politikan opozitar.
Të hënën (07.08.2023), demonstrues dolën në rrugë në Napoli për të protestuar kundër vendimit. Njëri e quajti kryeministren Giorgia Meloni një “Robin Hud i kundërt”, duke i thënë RAI TV se ajo “po merrte nga të varfërit për t’u dhënë të pasurve”.
Shkurtimet e buxhetit mund të kenë shkaktuar zemërim, por ato nuk ishin të papritura: Meloni dhe partia e saj e ekstremit të djathtë “Vëllezërit italianë” bënë fushatë me premtime për të shkurtuar përfitimet e mirëqenies.
Qeveria po eleminon një skemë bazë të mbështetjes së të ardhurave për familjet me të ardhura të ulëta, e prezantuar në vitin 2019, dhe po e zëvendëson atë me dy skema disi më kufizuese. Synimi, tha kryeministrja Meloni kur reforma u shpall vitin e kaluar, është “të kthejë mirëqenien në punë”.
Megjithatë, me të dhënat e fundit që tregojnë për një rënie të papritur ekonomike dhe paraardhësin e saj Giuseppe Conte, që e akuzon atë për orkestrimin e një “katastrofe sociale dhe ekonomike”, Meloni është nën presion shtesë për të provuar se idetë e saj për ringjalljen e rritjes do të japin fryte.
Pse po i kufizon përfitimet sociale qeveria italiane?
Qeveria italiane thotë se programi i mëparshëm kundër varfërisë, i njohur si “të ardhurat e qytetarëve”, ishte i paefektshëm, sepse shumica e përfituesve nuk mund të gjenin punë. “Ne vendosëm parimin se shteti do të kujdeset për disa italianë përgjithmonë,” tha Meloni në një konferencë shtypi në vitin 2022. “Unë mendoj se shteti duhet të përpiqet t’i ndihmojë ata të gjejnë një punë dhe të përmirësojnë kushtet e tyre, në vend që t’i mbajë ata në të njëjtën situatë”.
Disa grupe biznesi thuhet gjithashtu se kanë bërë thirrje për reforma, duke argumentuar se pagesat i pengojnë njerëzit të kërkojnë punë.
Francesco Corti, analist në Qendrën për Studime të Politikave Evropiane (CEPS), tha për DW se plani i ri i kufizimit të përfitimeve përfaqësonte një “ndryshim paradigme” nga një qasje më universale. “Ideja është që të jemi në gjendje të vendosim një vijë midis njerëzve që janë të punësueshëm dhe atyre që nuk janë,” tha ai.
Rreth 1.7 milionë familje me të ardhura të ulëta morën të ardhura mesatare mujore qytetare prej 550 eurosh (602 dollarë) vitin e kaluar, sipas INPS, organi italian i përfitimeve sociale. Qeveria nuk ka vendosur afat kohor për pagesën e shtesave, me kusht që personat e interesuar të mos refuzojnë ofertat e punës që u bëhen.
Sipas reformave, ata që konsiderohen fizikisht të aftë për të punuar do të marrin një shumë më të ulët mujore prej rreth 350 euro (383 dollarë) deri në një vit, me kusht që të regjistrohen në një kurs trajnimi. Ndryshimi vjen pas debatit të nxehtë publik në Itali, ku akuzat për mashtrim dhe dembelizëm janë ngritur ndaj përfituesve, shumë prej të cilëve janë në Italinë jugore, më pak të begatë ekonomikisht.