Makina e biznesmenit lezhjan të hidrokarbureve, Ndue Pjetrushi, ka shpërthyer në flakë në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune dhe është shkrumbuar e gjitha. Mercedesi ishte parkuar në rrugën para shtëpisë, në Ishull Shëngjin, kur ka marrë flakë.
Duke folur për mediat lokale atje, Ndue Pjetrushi ka thënë se nuk ka konflikte dhe nuk është njëri i problemeve. Ai kërkoi që Policia të zbardhë ngjarjen, nëse mjetit i është vënë flaka qëllimisht, apo ka marrë vetë si pasojë e ndonjë defekti.
“Rreth orës 4 pa 10 kam dëgjuar se isha në gjumë, një shpërthim të mbytur. Kam dalë në ballkon dhe kam parë makinë duke u djegur. Në moment ka lajmëruar policinë. Erdhi dhe zjarrfikësja, e fikën zjarrin dhe kaq. Nuk kam asnjë konflikt me askënd. Kush më njeh e dinë që nuk jam i problemeve.
Kam biznes transport nafte Shqipëri-Kosovë. Unë për vete nuk dyshoj, mund të jetë edhe e qëllimshme, dhe që ka marrë vetë. Unë nuk jam specialist, por e nxjerrë hetimi, ka një javë që nuk më kanë punuar kamerat e sigurisë, pasi e kisha dërguar që ta riparoj DVR”, është shprehur Pjetrushi.
Ndërkohë, grupi hjetimor sipas Policisë së Lezhës, ka qenë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e shkakut të djegies së mjetit. Kamerat e sigurisë së pronës së biznesmenit Pjetrushi prej një jave ishin jashtë funksionit.
“Rreth orës 04:00, në Ishull Shëngjin, është konstatuar duke u djegur mjeti tip “Benz”, në pronësi të shtetasit N. P. 66 vjeç, banues në Lezhë. Mjeti ka qenë i parkuar në anë rruge dhe për pasojë është djegur plotësisht.
Grupi hetimor vazhdon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes si dhe përcaktimin e shkakut te djegies”, thuhej në njoftimin e Policisë së Lezhës. Biznesmeni 66 vjeçar merret me transport nafte nga Shqipëria në Kosovë.