Autoritetet kolumbiane kanë identifikuar dhe arrestuar në qytetin Tunja, shtetasin shqiptar Genti Krasniqi, 62 vjeç, një nga më të kërkuarit nga Interpol dhe drejtësia italiane për trafik ndërkombëtar heroine.Sipas të përditshmes kolumbiane El Tiempo, ai po qëndronte në vend duke u paraqitur si një turist i zakonshëm, ndërsa në të vërtetë ishte një kapo i drogës në arrati prej vitesh. Arrestimi i tij u bë i mundur pasi ai tentoi të kryente një procedurë në Zyrën e Emigracionit në Tunja, ku u zbulua nga autoritetet lokale që vepruan menjëherë.
Hetimet e prokurorisë së Milanos kishin zbuluar që në vitin 2016 se një apartament luksoz në Milano përdorej nga një çift, një grua italiane dhe një shqiptar, për të fshehur sasi të mëdha heroine që vinin nga Tirana. Të dy u arrestuan në atë kohë, por Krasniqi arriti të arratisej nga Italia dhe që atëherë është kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar.Burime të “El Tiempo” bëjnë me dije se ai kishte hyrë në Kolumbi që në vitin 2023 dhe kishte qëndruar në Bogotá dhe qytete të tjera. Lëvizja e tij drejt Tunjas besohet se lidhet me faktin se pasaporta i kishte skaduar, dhe mendonte se në një qytet më të vogël nuk do të binte në sy, duke shmangur zbulimin e “circular roja” të Interpolit.
Emri i Krasniqit rezulton në dosje gjyqësore ku përmendet si pjesë e një rrjeti trafikantësh droge që përdorte prostituta për të transportuar ngarkesat nëpër Europë.
Aktualisht ai ndodhet në paraburgim, në pritje të kërkesës zyrtare për ekstradim nga Italia.
Ky rast konfirmon edhe njëherë rolin e Kolumbisë si epiqendër e trafikut ndërkombëtar të drogës, ku sipas të dhënave zyrtare, kultivohen mbi 250 mijë hektarë me kokainë. Autoritetet po hetojnë gjithashtu se kush e mbështeste Krasniqin në Kolumbi dhe si kishte arritur të futej në vend pa u kapur më parë.