Lionel Messi është rikthyer të flasë për largimin e hidhur nga Barcelona.
Në një intervistë për ‘France Football’, ai foli sërish për atë që ndodhi dhe insiston se për të ishte e papritur, pasi mendonte që do të qëndronte në “Camp Nou”.
“Nëse e prisja? Sinqerisht, aspak. U ktheva në Barcelonë për t’u përgatitur për sezonin, pasi kisha përfituar nga ditët shtesë që Koeman më kishte dhënë. Ideja ishte të nënshkruaj kontratën time dhe të filloj stërvitjen menjëherë. Mendova se gjithçka ishte zgjidhur, se mungonte vetëm nënshkrimi im. Por kur mbërrita ata më thanë që nuk ishte më e mundur, se nuk mund të qëndroja dhe se duhet të gjeja një klub tjetër sepse Barça nuk kishte të ardhura për të rinovuar me mua. Kjo ndryshoi planet e mia…”, tha ai.
Menjëherë pas lamtumirës, Messi mbërriti në Paris.
I pyetur nëse ai kishte pasur kontakt më parë me PSG -në, Messi u përgjigj: “Barça lëshoi një deklaratë duke njoftuar se nuk mund të vazhdojmë dhe që nga ai moment fillova të pyes veten se si do t’ia bëjmë. Më duhej të gjeja një klub të ri për të vazhduar karrierën time. Kam qenë me fat që jam kontaktuar nga klube të ndryshme dhe një prej tyre ishte PSG”.
“Që në fillim, PSG më trajtuan shumë mirë, më treguan se me të vërtetë më donin dhe kujdeseshin për mua. I falënderoj ata sepse jam shumë i lumtur që jam këtu sot. Kam marrë propozime të tjera, por duhet ta pranoj se arritëm një marrëveshje mjaft shpejt me PSG-në. Diskutimet filluan dhe nuk ishte e lehtë sepse gjithçka duhej të rregullohej në një kohë të shkurtër, praktikisht brenda natës në mëngjes”.
“Natyrisht që unë jam joshur nga projekti, ambicia e klubit, lojtarët në skuadër, grupi … të gjithë këta elementë lehtësuan zgjidhjen e shpejtë”. /Gazeta Express/