Lista e golave ​​të Messit është e pafundme dhe opsionet janë të shumta për të zgjedhur. Ekziston slalomi në stilin e Maradonës kundër Getafes, gara që zbuti Athletic Bilbaon në finalen e Kupës së Mbretit, “vorbulla” në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit, lobimi kundër Bayernit apo faulli me telekomandë kundër Liverpoolit në “Camp Nou”.

Lista e gjatë dhe e pasur dhe secili do të kishte zgjedhjen e vet. Megjithatë, për vetë Lionel Messin, cili është goli i tij i preferuar në karrierë? Si pjesë e fushatës bamirëse “Një gol për Jetën” që ai ka promovuar ditët e fundit, argjentinasit iu kërkua t’u përgjigjej pyetjeve të ndryshme, përfshirë edhe golin që e ka më shumë për zemër.

Dhe përgjigjja e tij… nuk ishte asnjë nga të mësipërmet! Në vend të kësaj, legjenda e Barcelonës zgjodhi golin me kokë që shënoi kundër Manchester United në finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2009 , kur fitoi trofeun për herë të dytë me Blaugranët.

“Kam shënuar shumë gola që mund të jenë më të bukur dhe domethënës në vlerë për shkak të rëndësisë së tyre, por goli me kokë kundër Manchester United ka qenë gjithmonë goli im i preferuar”, theksoi Messi, i cili më pas shënoi 2-0 dhe vulosi fitoren e Barcelonës në finale.