Meta po lançon klonin e saj të TikTok, Reels, në Facebook për përdoruesit e Android dhe iOS në 150 shtete të ndryshme.
Prezenca e Reels në Facebook shoqërohet dhe nga disa shërbime të reja editimi (që gjenden dhe në versionin e Instagram) dhe opsione reklamimi të shtuara.
Përdoruesit e Reels në Facebook do të jenë në gjendje të bëjnë “remix” videot e personave të tjerë (të duetojnë me to) dhe të publikojnë video të reja deri në 60 sekonda, njësoj si në Instagram. Ato do të mund të ruajnë drafte, dhe Meta do të shtojë shërbime të reja për prerjen e videove “që do ta bëjnë më të thjeshtë për krijuesit të testojnë formate të ndryshme”.
Kompania do të shtojë dhe më tepër reklama në videot Reels, që do të shfaqen në 2 formate: si një baner gjysëm-transparent i vendosur në pjesën e poshtme të një videoje dhe një sticker statik që mund të vendoset nga krijuesi në çdo vend të Reels.
“Kompania do t’i ofrojë krijuesve akses në programin automatik të vendosjes së reklamave dhe do të nxjerrë me kalimin e kohës Stars (një mënyrë për fansat që të dhurojnë para në mënyrë direkte drejt krijuesve).” tregon Meta.
Megjithatë kompania nuk ka treguar ende asnjë statistikë mbi performancën e Reels deri më tani, ndërkohë që TikTok rrit numrin e përdoruesve çdo ditë.