Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka pritur në takim ditën e sotme përfaqësues të Komunitetit Arbëresh në Itali, të cilët i konsideron urën e fortë shekullore lidhëse me Italinë mike.
Meta shkruan në Facebook se ka zhvilluar një bisedë ‘të ngrohtë’ me Kryetarin e Komunës Arbëreshe të Montecilfone, Rajoni i Molises, Giorgio Manes, ku ndër të tjera është njohur me përpjekjet për mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave arbëreshe, që meritojnë të promovohen dhe trashëgohen brez pas brezi.
Ndër të tjera, Presidenti bën me dije se i ka shprehur të gjithë mbështetjen për vizionin e tij për binjakëzimin e komunave arbëreshe me bashkitë tona, në realizimin e projekteve të përbashkëta ekonomike, sociale, kulturore dhe artistike.
Postimi i Metes:
Përherë i lumtur të mirëpres përfaqësues të komunitetit shumë të dashur Arbëresh, urë e fortë dhe shekullore lidhëse e marrëdhënieve tradicionalisht të shkëlqyera me popullin dhe Italinë mike.
Vëllazëror ishte edhe takimi me Kryetarin e Komunës Arbëreshe të Montecilfone, Rajoni i Molises, z. Giorgio Manes dhe delegacionin, që e shoqëronte, me të cilët zhvilluam një bisedë shumë të ngrohtë.
I lumtur të njihesha me përpjekjet e tij për mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave arbëreshe, që meritojnë të promovohen dhe trashëgohen brez pas brezi.
I shpreha të gjithë mbështetjen time për vizionin e tij për binjakëzimin e komunave arbëreshe me bashkitë tona, në realizimin e projekteve të përbashkëta ekonomike, sociale, kulturore dhe artistike.
Përjetë mirënjohës komuniteti arbëresh, që mbetet sot ruajtësi i vetëm i gjuhës të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një thesar i madh për kombin tonë, për Italinë dhe për trashëgiminë europiane dhe botërore.
E falenderova Kryetarin Manes për dhuratën e veçantë që më solli, një shall të tifozëve kuqezinj arbëresh të Piana degli Albanesi.