Në kuadër të vizitës në Baku, presidenti Ili Meta është pritur në një takim nga homologu i tij në Azerbajxhan, Ilham Aliyev.

Gjatë takimit Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, si dhe potencialin e jashtëzakonshëm që ekziston për forcimin e gjithanshëm të tyre në fushat me interes reciprok.

Më tej kreu i shtetit shprehu shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e dhënë nga Azerbajxhani, si dhe nga Presidenti Aliyev për ndërtimin dhe zbatimin e suksesshëm të gazsjellësit TAP.

Gjithashtu Meta theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që merr gazsjellësi TAP për sigurinë energjitike të Europës, në kontekstin e zhvillimeve të fundit, si burim alternativ energjie.

Në këtë kuadër, të dy presidentët vlerësuan nevojën jetike të fuqizimit të mëtejshëm të TAP, si dhe të zbatimit të shpejtë të projektit IAP (Gazsjellësi Adriatiko-Jonian), që do të sillte një impakt më të madh për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.