Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta u prit sot në një takim të përzemërt nga Kryeministri i mandatuar për të formuar Qeverinë e ardhshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Sh.T.Z Dimitar Kovaçevski, njëherazi kryetar i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM).
Pasi i uroi shumë suksese në detyrën tepër rëndësishme dhe vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera fqinjësore ndërmjet vendeve tona, Presidenti Meta theksoi domosdoshmërinë e çeljes sa më parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian për të dy vendet dhe shprehu besimin se me përpjekje të përbashkëta do kalohen pengesat në një kohë të afërt.
Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi angazhimet konkrete të palës maqedonase për të avancuar me projektin shumë të rëndësishëm të Korridorit 8, që do të forcojë edhe më shumë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, si dhe marrëdhëniet midis dy vendeve.
Duke e përshëndetur përmirësimin e ndjeshëm të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoninë e Veriut, kyç për përparimin e demokracisë dhe prosperitetit të vendit fqinj, Presidenti Meta çmoi rolin dhe kontributin e faktorëve politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, në të gjitha zhvillimet demokratike dhe progresin e vendit në proceset euroatlantike.
Nga ana e tij, z. Kovaçevski siguroi se një nga prioritetet e Qeverisë së tij në fushën investimeve do të jetë pikërisht Korridori 8.
Gjithashtu, ai u shpreh se Qeveria e Tij do të jetë plotësisht e angazhuar në drejtim të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndëretnike në vend dhe për thellimin, në të gjitha fushat, të bashkëpunimit me Shqipërinë, në interesin më të mirë të qytetarëve tanë.