Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas rënies së eksperteve të perimeve për herë të parë pas 16 viteve duke iu referuar një artikulli të Monitor. Meta thotë se ky është një tregues mjaft shqetësues për nivelin e ulët të mbështetjes së bujqësisë dhe fshatit. Kreu i shtetit nënvizon se është detyrim kombëtar që të ndalet ky trend negativ nga Qeveria duke rritur mbështetjen për fermerët.
“Ulja për herë të parë pas 16 viteve e eksporteve të perimeve, po i heq fermerit dhe bujqësisë tonë një ndër avantazhet e saj të pakta krahasuese në rajon dhe më gjerë. Pas rrudhjes alarmante të prodhimit blegtoral dhe pakësimit drastik të numrit të krerëve në këto vitet e fundit, ky është një tjetër tregues mjaft shqetësues për nivelin e ulët të mbështetjes së bujqësisë dhe fshatit, për koston e lartë të papërballueshme të prodhimit bujqësor dhe blegtoral.
Kjo është një premisë e rrezikshme për braktisjen e fshatit dhe të vendit nga pamundësia për prodhim dhe shitje. Është një obligim atdhetar, që të ndalet me çdo kusht ky trend negativ nga Qeveria duke rritur mbështetjen për fermerët dhe mbrojtur prodhimin vendas nga konkurrenca e pamëshirshme dhe e pandershme nga importet”, shkruan Meta.
Edhe deputeti Saimir Korreshi ka ndarë një video në rrjetet sociale duke folur për gjendjen ekonomike të fermerëve. Ai thotë fermerët janë të braktisur ndërsa ka ndarë edhe një artikull nga Euronews-i gjerman.
“Fermerët e dinë vetë se cfarë heqin, e nisin punën pa gdhirë dhe shkojnë në shtëpi me natë, me pasigurinë er tregut që mungon, me subvencionet më të ulëta në rajon, me korrupsionin që fondet i con te miqtë e qeverisë. Fermerët e dinë sa të braktisur janë dhe cili është vizioni i Ramës për bujqësinë. Kjo video nuk është për ta. Kjo video është për të treguar se si propaganda e paguar me taksat tona, shkrumbohet përballë realitetit të hidhur, që duhet të ndryshojë një orë e më parë. Për të patur një Shqipëri me te mire, ku në kanal përfundojnë politikanët e korruptuar, jo produktet e fermerëve, që në vitin 2022 i janë kthyer parmendës”, thotë Korreshi.