Ekranet e palosshëm janë kthyer në kryefjalën e teknologjisë gjatë viteve të fundit. Microsoft me sa duket është inspiruar nga kjo ide për të krijuar një mouse të palosshëm.
Në PatentScope u vu re një listim i ri nga Microsoft diten e enjte ku përshkruhej një mouse që duket shumë i ngjashëm me mouse-in wireless Microsoft Arc, por që ka aftësinë të bëhet më i sheshtë dhe më i thjeshtë për t’u mbajtur me vete.
Sipas këtyre dokumenteve, mouse-i mund të përfshijë një gjurmues i cili mund të zbulojë lëvizjen e pajisjes. Gjithashtu në këto dokumente përmendet dhe prania e një komponenti “të konfiguruar për të transferuar të dhënat e shtypjes së butonave dhe të lëvizjes drejt një pajisje tjetër”.
Mirëpo çfarë qëllimi ka Microsoft me krijimin e kësaj pajisjeje?
Kompania tregon se mouse-t që ne përdorim ditët e sotme janë tepër të mëdhenj dhe jo praktikë për t’u marrë me vete. “Dhe mouse-t e vegjël të cilët kanë si qëllim lehtësimin e transportimit kanë një dizajn jo të rehatshëm për t’u përdorur”.
Njësoj si të gjithë patentimet e tjera, nuk ka asnjë garanci se mouse-i i palosshëm i Microsoft do të arrijë deri në fazën e prodhimit në masë.