Milan sheh titullin “me dylbi”/ Como merr barazimin në “San Siro”, Inter tani duket largAs mungesa e Europës nuk po e ndihmon. Milani është një skuadër enigmatike, por ndërsa i afrohemi fundit të shkurtit, duket se po kuptohet që ende nuk mund të bëjë gjëra të mëdha.

Barazimi 1-1 në shtëpi ndaj Komos e la 7 pikë prapa Interit që kryeson Serinë A, për dëshpërimin e tifozëve që mendonin se mund të pretendohej titulli.

Natyrisht, shpresat nuk janë humbur të gjitha, por nëse do të tregohemi realistë, janë të vogla dhe kuqezinjtë duken pa potencialin e duhur, edhe pse zikaltërit janë të impenjuar edhe në Champions, të paktën për momentin

Për tronditjen e 75 251 spektatorëve në “San Siro”, Komo kaloi e para në epërsi falë gabimit të rëndë nga portieri Menja. Reagimi erdhi, por jo më shumë sesa për barazimin, dhe madje vendasit u dukën hera-herës inferiorë në krahasim me rivalin më modest lombard, pra në një derbi të vogël të krahinës.

Komo bëri 11 gjuajtje gjithsej, ndërsa goditjet në portë ishin të barabarta 4-4. Për fat të keq nuk mjaftoi asisti nga shqiptari i Kosovës, Ardon Jashari, që luan për Zvicrën, të cilin e ktheu në gol Leao.

“La Gazeta delo Sport” kometon se Milani nuk shkon më shumë se barazimi dhe se Interi tani është 7 pikë larg. Nervat ishin të tendosura dhe mjaftoi një gabim nga trajneri mik, Fabregas, që shtyu një lojtar vendas, që të kishte përplasje mes stafeve teknike. Trajneri I Milanit, Masimiliano Alegri u përjashtua me të kuqe, ndërsa pas ndeshjes u përpoq ta mbante veten.

“Sot ishte e rëndësishme të merrnim rezultat pozitiv. Skuadra bëri një ndeshje të mirë, por loja ishte shumë e mërzitshme, sepse më duket se topi ishte më shumë në këmbët e portierëve. Pati pak raste për gol, madje nuk pati asnjë. Më pas, gabimi nga Menja na prishi ekuilibrat, por janë gjëra që ndodhin. Reaguam mirë, ndonëse nuk fituam. Nuk është e lehtë të luash ndaj Komos”. Interi kryeson Serinë A me 61 pikë në 25 javë, ndërsa Milani ka 54.

Ardit Murataj