Futbollisti Tijjani Reijnders nuk do të jetë më pjesë e Milanit. Mesfushori holandez i është bashkuar Manchester City-t pas dy sezoneve me fanellën kuqezi.
SportMediaset thekson marrëveshja mes klubeve është finalizuar për një shumë që kap vlerën e 70 milionë eurove, duke përfshirë edhe bonuset. Në Angli flitet për 55 milionë euro pagesë fikse dhe pjesa tjetër në formë bonusesh.
Pavarësisht një sezoni të vështirë për Milanin, Reijnders ishte ndër të paktët që shkëlqeu, duke përfunduar sezonin me 15 gola dhe 5 asistime.
I blerë nga AZ për vetëm 20.5 milionë euro dy vite më parë, transferimi i tij te City mund të shndërrohet në shitjen më të shtrenjtë në historinë e Milanit, duke kaluar edhe transferimin e Kakás te Real Madridi në vitin 2009 për 67 milionë euro.
Reijnders pritet të vihet menjëherë në dispozicion të Guardiolës për Kupën e Botës për Klube, ku City debuton më 18 qershor kundër Wydad, shkruan A2 CNN.
Në një intervistë për Voetbal International, Reijnders tha: “Premier League është ëndërr për çdo djalosh. Kam folur vetëm me Nathan Aké për transferimin, jo me Guardiolën. City ka qenë gjithmonë një skuadër që kam ndjekur, veçanërisht për De Bruyne, citon a2. Tani nuk më besohet se ku kam arritur në vetëm katër vite.”